Qeveria gjermane i ka konfirmuar Deutsche Welle-s, se është shtyrë pa afat takimi Kosovë-Serbi në Paris.
Në përgjigjen e shkurtër për DW, një zëdhënëse e qeverisë gjermane, tha ndër të tjera edhe se Gjermania dhe Franca do të jenë edhe më tej në kontakt të ngushtë me Kosovën dhe Serbinë.
Në lidhje me takimin e punës të zhvilluar më 19 qershor në Berlin me përfaqësues të Serbisë, Kosovës, Gjermanisë, Francës dhe BE-së, zëdhënësja nuk donte të jepte sqarime.
Zëdhënësja e qeverisë kosovare, Donjeta Gashi tha për Syri.net se nuk kanë zyrtarisht asnjë konfirmim.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u takua në Berlin me një delagacion të Prishtinës, për t'u përgatitur për takimin në Paris, por takim atje nuk do të ketë, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Vuçiq u tha gazetarëve në Minsk, ku po qëndron për vizitë, se ai e ka dërguar Gjuriqin në atë takim dhe se kjo nuk është sekret.
"Nuk ka asnjë sekret, është përgatitje për takimin në Paris. Marko Gjuriqin e kam dërguar atje (në Berlin) dhe kam thënë se Serbia do të jetë konstruktive dhe se duam vazhdimin e dialogut dhe heqjen e taksës. Por, shqiptarëve kjo nuk u bie në mend dhe nuk ka rezultate", tha Vuçiq.
Qeveria e Kosovës deri më tash nuk e ka konfirmuar takimin në Berlin, të cilit iu referua Vuçiq.
Vuçiq tha se edhe gjermanët dhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron dialog dhe kush e frenon atë dhe "kush dëshiron që në vend të Evropës, dikush tjetër të merret me dialog".
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, është ndërprerë në fund të vitit të kaluar, për shkak të taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia.
Vuçiq këmbëngul se dialogu nuk do të vazhdojë pa heqjen e taksës.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, thotë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën - edhe pse thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara.
Më 1 korrik në Paris është paralajmëruar mbajtja e një takimi midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Ndërkohë, sipas disa raportimeve në media, edhe burime në qeverinë gjermane kanë thënë se samiti i Parisit nuk do të mbahet.