Një email u shpërnda fillimisht mëngjesin e së mërkurës për gazetarët që prisnin të takoheshin me vëzhguesit e Këshillit të Europës.
Aty thuhej se pas një konsulte në nivelet më të larta, Këshilli i Europës nuk do dërgojë mision vëzhgues zgjedhor në Shqipëri.
Lajmi u përhap me shpejtësi dhe shkaktoi një valë me reagime. Arsyeja është e thjeshtë për ata që e njohin sadopak politikën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri.
Zgjedhjet në Shqipëri janë vëzhguar në Shqipëri nga OSBE dhe nga Këshilli i Europës, si dy trupa shumë të rëndësishme.
OSBE ka mbajtur barrën më të madhe si numër personash dhe si logjistikë, ndërsa detyra e tyre është më shumë me natyrë teknike, ashtu siç tha edhe kryevëzhguesja Audrey Glover të mërkurën.
Jo më kot edhe Der Standard shkruante se Glover ka theksuar se do bëjnë monitorimin teknik të situatës.
Por kur bie fjala tek Këshilli i Europës, puna ndryshon. Për ata që mund të mos e dinë, Këshilli i Europës është organizata kryesore në kontinent për të drejtat e njeriut.
Kur monitorohen zgjedhjet, ndërsa OSBE kujdeset për anën teknike, fjala e KiE është e natyrës politike.
‘Edhe zgjedhjet moniste (gjithsesi jo kaq moniste sa sot) të vitit 1996, nga Këshilli i Europës u denoncuan. OSBE/ODIHR nuk kishte ndërmend t’i denonconte si të parregullta…’, shkruan ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Kjo ishte arsyeja se përse anulimi i misionit vëzhgues shkaktoi një tërmet në Tiranë. Thuhet se qeveria u angazhua fort për të penguar anulimin e vendimit. Por me qëndrimet e tyre u bënë edhe qesharakë. Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj tha se nuk është shqetësuese, pasi Shqipëria ka mbështetjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë me rëndësi (!). Kryebashkiaku Erion Veliaj e quajti Kongresin e Autoriteteve Rajonale një trupë vullnetare (!) kur dihet se ky kongres është për Këshillin e Europës njësoj si ODIHR për OSBE-në. Më larg shkoi zëvendësministri Petro Koçi kur tha se në Këshillin e Europës janë anëtarësuar edhe rusët (!).
Por në mbrëmje situata u qartësua më shumë. Zëri i Amerikës dhe Dojçe Vele raportuan se ‘KiE anulon misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve’, kurse Aleksandër Biberaj, shqiptari që ka mbajtur postin më të lartë në këtë organizatë si zëvendëspresident, e quajti rast të paprecedent.
Vetë KiE doli me një deklaratë të qartë, ku thuhej se nuk mund të vëzhgojnë zgjedhje me një kandidat dhe se ato nuk kanë kuptim pa pjesëmarrjen e opozitës.
Nga kjo mund të kuptosh se përse Tirana zyrtare u djersit kaq shumë në këtë ditë të nxehtë qershori. /Mapo.al