Në veçanti, një dokument që është publikuar shpesh është një “Formular Patronazhi Personal”, që supozohet se po përdoret nga Partia Socialiste për të frikësuar qytetarët për të marrë pjesë në votime duke i regjistruar të dhënat e tyre personale, në shkelje të nenit 329 të Kodit Penal.
Patronazhuesit mund të jenë kryetarët e OS-ve, drejtuesit e strukturave të tjera të PS-së (të organizatave rinore, të grave, etj), drejtuesit e institucioneve, kordinatorët elektoralë, persona influent në zonë, apo persona të spikatur që kanë dëshirë dhe energji të bëjnë patronazh personal.
Është e papranueshme që kushdo, qoftë ai zyrtar i partisë, nëpunës publik ose qytetari i zakonshëm, të bëhet garanci dhe të mbajë përgjegjësi për sjelljen votuese të dikujt tjetër. Përveç kësaj, është e ndaluar që “drejtorët e institucioneve” të përfshihen në mënyrë aktive në fushatë zgjedhore.
Formulari e thekson se i gjithë informacioni në të duhet të jetë i vërtetë dhe se qendra e votimit për çdo person në formular duhet plotësuar “për të shmangur deklarimet fiktive”. Po ashtu, duhet shënuar në formular dhe vendi i takimit me këtë votues, sërish “për të shmangur deklarimet fiktive”.
Ky udhëzim jo vetëm tregon se ata që marrin formularin duhet ta plotësojnë atë me të dhëna reale (dhe jo “fiktive”), por se gjithashtu Partia Socialiste duket se ka një sistem mbikëqyrjeje për të kontrolluar veprimet e atyre që janë në “patronazhin” e saj. Ky është një zhvillim alarmant që i afrohet “votës së lirë” për qytetarët shqiptarë që prej diktaturës komuniste.
Vetëm ky formular duhet të jetë provë e mjaftueshme për Prokurorinë që të fillojë një hetim për kërcënimin e votuesve dhe shpërdorimin e burimeve publike në fushatën elektorale të vitit 2019, dhe po ashtu duhet të jetë këmbanë alarmi për BE-në dhe OSBE-ODIHR-in.