Disa dhjetëra shqiptarë të Amerikës u mblodhën të dielën në mesditë përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama dhe asaj që ata e quajnë ndërhyrje e miliarderit George Soros në punët e Shqipërisë.
Kështu e nis artikullin e saj për protestën e sotme të shqiptarëve para Shqipërisë së Bardhë, Zëri i Amerikës.
Sipas medias shtetërore amerikane, ata iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump me lutjen që të tregojë vemendje për atë që po ndodh në Shqipëri.
Grupet e shqiptaro-amerikanëve të mbledhur të dielën përpara Shtëpisë së Bardhë për të protestuar, i thanë Zërit të Amerikës se ishin njoftuar përmes rrjeteve sociale për tubimin.
“Nuk jemi pjesë e ndonjë organizate, as e ndonjë partie. Thjesht jemi shqiptarë që na interesojnë të drejtat dhe liritë e popullit tonë, të cilat janë të mohuara nga qeveria aktuale, që është e kapur nga krimi, nga korrupsioni,” thotë Vera Matoshi? nga Nju Jorku.
Protestuesit mbanin në duar pankarta kundër miliarderit George Soros, që ata thanë se po destabilizon një vend të NATO-s, siç është Shqipëria.
“Ai po ndërhyn në çdo cep. Sipas informacioneve, ka hedhur shumë lekë në reformën në drejtësi, në një reformë që po dështon. Po shikojmë njerëz që po kualifikohen, disa prej të cilëve edhe nuk e meritojnë të kualifikohen,” thotë Ervis Zholi, veprimtar i Degës së Vatrës në Miçigan.
Besnik Xhama nga Nju Xhersi beson se miliarderi George Soros ka ndikuar për vendosjen e një të majte ekstreme në Shqipëri:
“George Sorosi duhet të largohet një orë e më parë nga politika shqiptare sepse ka ndikuar negativisht. Si biznesmen mund të jetë shumë i suksesshëm dhe i respektuar por në politikën shqiptare ka ndikuar shumë keq, sepse ka instaluar të majtën ekstreme.”
I pyetur se ku e shikon ndikimin e Sorosit, ai thotë:
“George Sorosi ka ndikuar në farsën e reformës në drejtësi dhe po instalon njerëzit e Edi Ramës në të gjitha pozicionet kyçe të reformës në drejtësi.”
Të ardhurit ishin kryesisht nga Bostoni, Nju Jorku, Nju Xhersi, Pensivania dhe Miçigani.
“Gjithë Shqipëria ndodhet në një kurth të tmerrshëm nga një mafie që e ka gllabëruar dhe po e vjedh përditë. Është e pamundur që ata të lëvizin. Prandaj kam ardhur t’i kërkoj ndihmë Presidentit Trump. Ai duhet të dërgojë gjykatës dhe prokurorë. Vetëm gjykatës dhe prokurorë amerikanë mund ta ndryshojnë atë vend,” thotë Viron Xhavara, banues në Filadelfia.
Protesta u zhvillua në sheshin përballë Shtëpisë së Bardhë, aty ku normalisht e diela është e mbushur me vizitorë.
Organizata panshqiptare Vatra i tha Zërit të Amerikës se nuk ka marrë pjesë në organizimin e protestës, por shprehu mbështetje për protestuesit, duke dërguar përfaqësuesit e saj. Agim Rexha, nënkryetar i Vatrës, kishte këtë lutje për Presidentin amerikan Donald Trump:
“Të shohë me vemendje çfarë bën Xhorxh Sorosi në Shqipëri. Të shpëtojë Shqipërinë nga ‘Rama Reform’ që po shkatërron drejtësinë shqiptare dhe që e ka lënë pa gjykatën kushtetuese, pa gjykatën e lartë dhe ngadalë pa gjykata.”
Muhamet Omari nga Nju Jorku, thotë se ka disa lutje në adresë së presidentit amerikan:
“Në radhë të parë kërkojmë vendosjen e një ambasadori i cili ta kuptojë politikën shqiptare. Kjo është shumë e rëndësishme sepse shumë të tjerë nuk e kanë kuptuar. Ka filluar një erdoganizëm në politikën shqiptare, duke filluar nga propaganda, nga filmat, nga ekonomia, nga zaptimi i bankave dhe i ushtrisë. E gjithë kjo në Shqipëri, po bëhet jashtë vemendjes së politikës amerikane.”
Protesta u zhvillua e qetë dhe zgjati rreth një orë.