Mijëra protestues janë nisur nga qyteti i Fierit duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në protestën e dhjetë kombëtare.
Kreu i PD-së Fier Luan Baçi, tha se i vetmi kusht është largimi i kryeministrit Edi Rama. Ai tha se opozita nuk do të ndalojë se protestuari deri në largimin e tij.
“Ne kemi axhendën tonë dhe ajo është një dhe e pa ndryshueshme, Rama ik! Aq më tepër duke parë që pas ditës së diel, instalimi i një neodiktature, Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi nuk do të ndalojë së protestuari deri në largimin e Ramës. Nuk do të ketë negociata me Edi Ramën dhe 30 qershori është ashtu siç tha kreu i PDSH zoti Basha, është fillimi i fundit real të Edi Ramës”, deklaroi ai.
Për sa i përket 13 tetorit, ditës së dekretuar nga presidenti për zgjedhjet e reja, Baçi tha se opozita nuk duhet të futet as në këto zgjedhje me Ramën kryeministër.
“Është një problem që do të diskutohet hap pas hapi. Për mendimin tim opozita ka axhendën e vet, largimin e Edi Ramës.
Opozita nuk ka pse të futet në zgjedhjet e 13 tetorit me të njëjtat kushte siç është me Ramën kryeministër.
Për mendimin tim personal nuk ja vlen të negociosh me Ramën dhe as për 13 tetorin. Është një problem ligjor që është shkelur përsëri dhe është një problem mes presidencës dhe mazhorancës”, theksoi Baçi.