Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ndërsa ka postuar një video nga protesta e opozitës ditën e djeshme, tha se “shqiptarët meritojnë një qeveri që mbanë përgjegjësi para popullit”.
Në facebook, Kryemadhi ka falënderuar ata që ju bashkuan tubimit, duke theksuar se “pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriget e politikës kanë marrë fund”.
Postimi i plotë:
Falenderoj të gjithë qytetarët që janë bërë pjesë e këtij ndryshimi!
Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Shqipëri ku të gjithë janë të barabartë para drejtësisë, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet.
Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin.
Pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriket e politikës kanë marrë fund.
Ne jemi së bashku në këtë betejë si qytetarë të barabartë që duan më shumë Shqipërinë se sa partinë. Rruga jonë është e mbushur me sfida dhe ne jemi të gatshëm t’i përballojmë.
Sepse për ne Shqipëria është e para, shqiptarët janë të parët.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!