Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta u vlerësua në Venecia me Çmimin Ndërkombëtar “Luani i Artë", me motivacionin: "Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare".
Në prani të autoriteteve vendore të Rajonit të Venetos, që i akorduan këtë çmim, Presidenti Meta u shpreh:
“Të nderuar Miq të Çmimit Ndërkombëtar të Venecias! Ju faleminderit nga zemra!
Ky është një çmim që në radhë të parë i dedikohet popullit shqiptar.
Veçanërisht shqiptarëve të Italisë, që nga ata të ardhur prej shekujsh në Itali e deri tek shqiptarët e ditëve të sotme, për punëtorët, studentët, e për të gjitha familjet e shqiptarëve.
Ky është një çmim që i shkon edhe mijëra italianëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri prej vitesh: sipërmarrës, studentë, profesionistë.
Ky çmim është një simbol i miqësisë Itali-Shqipëri, një miqësi unike dhe e pandashme.
Çdo gjë mund të ndryshojë në botë, por gjeografia jo, e Italia dhe Shqipëria janë të bashkuara nga historia e nga gjeografia.
Ky është një çmim që i shkon edhe së ardhmes së marrëdhënieve tona, të miqësisë të së rinjve tanë, të cilët janë edhe shpresa jonë.
Unë kam lindur 50 vite më parë në diktaturën më të errët që Europa ka njohur.
Falë demokracisë unë, një student i ri, u bëra deputet, ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President i Republikës, ndaj ky çmim i dedikohet demokracisë, si sistemi i vetëm që mund të ndryshojë të ardhmen për të rinjtë dhe qytetarët e një vendi.
Ky është një çmim, që u dedikohet gjithashtu udhëheqësve të moderuar të rajonit, të cilët falë pjekurisë, dialogut, kanë bërë që vendet e Ballkanit, që sillnin vetëm krizë e luftë, sot janë më afër Europës e më afër paqes mes popujve.
Ky është një çmim që u shkon edhe udhëheqësve fetarë, të cilët me inteligjencë, mund, sakrifica, harmoni e dashuri kundrejt pasardhësit, kanë bërë të mundur që dialogu ndërfetar dhe bashkekzistenca të jenë të shkëlqyera dhe shembull për mbarë botën.
Ky çmim i dedikohet edhe familjes time, për mbështetjen dhe dashurinë, duke më lejuar të punoj çdo ditë me këmbëngulje e qetësi.
Ju faleminderit të dashur miq!
Faleminderit Venecia!
Faleminderit Itali!”