Sezoni i verës që pasoi procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit do ta gjejë në aksion të vazhdueshëm Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Zërave se kriza politike do të zgjidhet përmes një marrëveshjeje mes PS e PD-së i dha fund vetë Lulzim Basha.
Pas takimit me Kolegjin e Kryetarëve dhe kryebashkiakët e PD-së, Basha u takua me ish-deputetët e Grupit Parlamentar dhe Kryesinë e PD-së, të cilëve i bëri të qartë se kjo krizë politike nuk do të zgjidhet me pazare, por vetëm me parime. “Kjo krizë nuk mbyllet me pazar mes PS-PD, siç po flasin mercenarët e Ramës. Kriza zgjidhet me parime. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti ne këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës. Duhet të jemi të qartë në mesazhet tona: Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Edi Ramën nuk ka. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme”, deklaroi në mbledhjen me dyer të mbyllura Basha.
QËNDRIMI
Të bindur se me bojkotin që u bënë zgjedhjeve të 30 qershorit shqiptarët kanë shprehur nevojën për ndryshim politik, kreu i PD-së ka theksuar vazhdimisht se prioriteti kryesor i demokratëve është ndëshkimi i vjedhësve të votave. “Beteja që ka nisur dhe që ka marrë mbështetjen e mbi 85 % të shqiptarëve më 30 qershor, do të vazhdojë deri në kurorëzimin e saj me fitoren e plotë të çdo qytetari. Në këtë betejë nuk jemi për karriget tona, ato i dorëzuam.
Nuk jemi për pushtetin tonë, atë e sakrifikuam. Për hir të qytetarëve dhe për hir të interesit qytetar, do të bëjmë çdo sakrificë dhe çdo betejë, me çdo formë dhe me çdo mjet të mundshëm për t’u rikthyer njerëzve vendimmarrjen, votën dhe, përmes tyre, një qeveri që punon për ekonominë, për punësimin dhe për mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur duke vjedhur votat, ndëshkim këtij regjimi që nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe veten e vet, kur vetë kandidonte, vetë votonte, vetë numëronte, vetë tabulonte dhe vetë shpallte rezultatet dhe kthimit të sovranitetit të qytetarit.
Janë qytetarët ata që do të vendosin me votën e tyre qeverisjen që meritojnë dhe, sa na takon ne, bashkë me qytetarët, këto ditë, këto javë, këto muaj, do t’i japim formë projektit tonë të transformimit ekonomik dhe politik të vendit”, tha kreu i PD-së. Për demokratët, qëllimi kryesor do të jetë ndryshimi urgjent i qeverisë, por ky ndryshim nuk do të vijë përmes marrëveshjeve apo pazareve mes kryetarëve të partive, por vetëm me standarde europiane.
“Prioriteti kryesor është ndryshimi urgjent i kësaj qeverisjeje të korruptuar e të inkriminuar me një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm e me standarde, që nuk mund të ndodhë sa kohë që në krye të vendit është një njeri që ka kapur drejtësinë dhe ka kapur zgjedhjet”, theksoi kreu i PD-së.
AKSIONI
Sipas burimeve nga selia blu, kryetari i PD-së ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjithë eksponentët e demokratëve në qendër e rrethe përgjatë gjithë muajve të verës, duke paralajmëruar se në shtator vendi do të përballet me zhvillime të forta politike. Edhe pse ende pa një datë për zhvillimin e protestave, kryedemokrati u ka bërë të qartë anëtarëve të kryesisë dhe ish-deputetëve se ato nuk do të ndalen. “Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat. Është koha të bëhemi gati që, përveç protestës, të shpalosim bashke me njerëzit alternativën, që shumicën Rama ik, shumicën që kërkon ndryshim ta kthejmë në një maxhorancë politike dhe qeverisëse”, mësohet të jetë shprehur kreu i demokratëve. Panorama