Skandal në Durrës/ Gjykata shkel Kushtetutën me urdhër të Ramës

Premte, 19 July 2019 13:53

Një shkelje e paprecedentë kushtetuese ka ndodhur sot në Gjykatën e Durrësit. Dy ditë pasi kjo gjykata ka dhënë një vendim të ligjshëm për mos dhënien e mandatit të Valbona Sakos si kryebashkiakja e re e Durrësit, një tjetër gjyqtarë i ka dhënë asaj të drejtën të jetë kryebashkiake.

Vendimi i marrë sot nga gjyqtari, Shpëtim Reka, erdhi pas kërkesës me shkrim që i ka dërguar Partia Socialiste dje, firmosur nga kryesocialisti Edi Rama. Vendimi Gjykatës së Durrësit për mos dhënien e mandatit mund të rrëzohej në Gjykatën e Apelit, por jo nga e njëjta gjykatë me një tjetër gjyqtare. Nga ana kushtetuese një akt i tillë është skandal i padëgjuar deri më sot në sistemin e drejtësisë.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është drejtuar të enjten me një kërkesë Gjykatës së Durrësit, duke i kërkuar të njohë fituesen e Aleancës për Shqipërinë Evropiane në Bashkinë Durrës, Valbona Sako. Shorti i ra gjyqtari Shpëtim Reka, i cili mori një vendim të ndryshëm nga kolegia e tij që i quajti të pavlefshme zgjedhjet për shkak të regjistrimit të Bindjes Demokratike përtej afateve. Të njëjtën strategji pritet që PS-ja të ndjekë edhe me Vorën, pra duke përsëritur kërkesën, këtë herë jo nga kandidati fitues, por si subjekt Partia Socialiste me kryetar Edi Ramën.

Vendimi i Gjykatës së Durrësit dy ditë më parë për mos njohjen e mandatit

Gjykata e Durrësit ka rrëzuar kërkesën e kandidates së PS-së Valbona Sako për konfirmimin e mandatit të saj si kryebashkiakja e Durrësit për 4 vitet e ardhshme. Në vendimin e sotëm i cili mban firmën e gjyqtares Mimoza Margjeka arsyetohet se regjistrimi në garën e 30 qershorit të partisë Bindja Demokratike është bërë jashtë afateve për regjistrimin e subjekteve në KQZ dhe se i gjithë procesi është i paligjshëm.

“Gjykata konstaton si akte absolutisht të pavlefshme aktet e mëposhtme:

  • • Vendimi për regjistrimin e “Bindjes Demokratike” për zgjedhjet vendore në datë 24/04/2019
  • • Për miratimin e mbajtjes së fletës së votimit
  • • Për nxjerrjen e rezultatit të votimit“, thuhet në vendimin e siguruar nga faxweb.al

Rrëzimi i kësaj kërkesë nga shkalla e parë e gjyqësorit vjen si risi pas konfirmimit të disa mandateve për kryebashkiakë në disa bashki të vendit nga gjykatat e shkallës së parë në rrethe. Valbona Sako kandidate e PS-së për zgjedhjet vendore në Durrës garoi përballë kandidates së Bindjes Demokratike Valbona Sakollari duke fituar me epërsi të ndjeshme.

Login to post comments