Ceremonitë festive të zhvilluara dje nga institucionet e qeverisë për 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi ishin shfaqja më qesharake që iu servir qytetarëve. Ajo pjesë e Kuvendit që ka mbetur pas bojkotit të opozitës, drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë dhe ambasadorët e huaj në Tiranë u mblodhën për të kremtuar rrugëtimin 3 vjeçar të një projekti që sot ka prodhuar kaos në drejtësi dhe gjithë funksionimin e shtetit e ka futur në krizë kushtetuese të jashtëzakonshme.
Kur reforma u miratua me 140 vota në Kuvend, kishte mbështetjen e shumicës së shqiptarëve dhe cilësohej si ndërhyrja më e domosdoshme që do të garantonte drejtësinë në Shqipëri. Sot, pas tre vjetësh sondazhet që bëhen për suksesin e reformës të shqiptarët rezultojnë të jenë aq negative sa edhe ata që i porosisin kanë frikë t’i publikojnë. Sepse qytetarët e kanë kuptuar se ajo që nisi si një tërmet për ndëshkimin e korrupsionit, sot ngjan më tepër si një formë e re e kapjes së drejtësisë nga ana e qeverisë. Por edhe nëse kapja nga qeveria e reformës është një akuzë që kundërshtohet nga Kryeministrit Edi Rama, qytetarët shohin se produkti i parë i kësaj reformë, deri tani, është bllokimi i drejtësisë. Dje festuam 3 vjetorin e reformës, por dje u mbushën tre vjet që Shqipëria praktikisht nuk ka më drejtësi. As gjykatë kushtetuese, as gjykatë të lartë dhe rrezikohemi të mbetemi edhe pa gjykata apelit. Si pasojë e reformës, frikës nga vettingu dhe pasigurisë së trupës gjykuese, gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit thuajse kanë pezulluar punën apo zvarrisin çdo vendim. Në kohën kur u miratuan të gjithë ndryshimet ligjore për reformën, u parashikua që të kishte një periudhë tranzicioni. Hartuesit e ligjeve dhe ndërkombëtarët, në rastin më të mire, flisnin për 12 muaj që do të duheshin për vënien në shina të institucioneve të reja. Sot pas tre vitesh askush nuk jep më data dhe afatet kohore ndryshojnë çdo dy muaj me afate të tjera. Por çështja e kohës është vetëm njëra pjesë e dështimit me reformën. Ajo çfarë është dhe më e rëndë lidhet me mënyrën sesi po zbatohet ajo deri në këtë fazë që jemi. Ndryshimet Kushtetuese të 22 korrikut 2016 u bënë me konsensusin me të madh të politikës.
Sot një pjesë e ligjeve të reformës janë prekur në mënyrë të njëanshme ose nuk janë zbatuar plotësisht nga ana e qeverisë dhe institucioneve të reja të drejtësisë. Reforma parashikonte që Vettingu i gjyqtarëve do të kryhej në mënyrën më të rreptë dhe profesionale. Ajo që kemi parë deri tani është se prokurorë dhe gjyqtarë që nuk justifikonin milionat dhe në karrierën e tyre kanë plotë cene, kaluan vettingun si njerëz të drejtësisë së re. Ndërsa gjyqtarë dhe prokurorë që kanë dënuar grupet më të mëdha kriminale dhe nuk kanë pasur asnjë vrejtje gjatë karrierës u flakën në rrugë. Sigurisht mes gjyqtarëve dhe prokurorëve ka të korruptuar dhe sekserë vendimesh ndaj dhe u kërkua me domosdoshmëri reforma, por u kërkua një reformë që të ndante hajdutët nga të ndershmit dhe jo të promovonte juristët me probleme. Në tre vite po rezulton se vendimet për Vettingun janë formale dhe përzgjedhja e juristëve vërtetë të aftë nuk po bëhet në mënyrë ligjore. Ajo çfarë është me shqetësuese lidhet me emrat e njerëzve që po futen në institucionet e reja të drejtësisë pas vettingut. Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë kanë nga një fije që i lidh me qeverisjen aktuale ose janë të sprovuar në vendime që i kanë shërbyer dikur qeverisjes së PS. Kjo shpjegon dhe përse institucionet e drejtësisë së re nuk vihen në lëvizje nga ligji, por sipas urdhrave të deputetit të PS, Ulsi Manja.
Testimi i parë i reformës ishte Prokurorja e Përgjithshme. Jo vetëm u zgjodh në kundërshtim të Kushtetues si e përkohshme, por vijon të jetë në detyrë për gati dy vite. Prova e radhës janë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë, të cilët mesa duket do të vijnë në detyrë me të njëjtën mënyrë të përkohshme. Tre vite nga miratimi i reformës shqiptarët kanë me qindra raste ku është provuar se çështja e zbatimit të reformës ka shërbyer si alibi nga qeveria për të fshehur krimet e qeverisjes. Në këto kohë kanë ndodhur skandalet korruptive dhe krimet qeverisëse më të mëdha duke nisur kanabizimi i vendit dhe deri të koncesionet me qindra miliona euro vjedhje. Nuk ka asnjë zyrtar të dënuar dhe asnjë garanci se drejtësia e re do të merret me këto çështje.
Megjithatë shpresa vdes e fundit- thotë një fjalë e urtë popullore. Po presim dhe këtë fundviti për të parë se çdo bëjë SPAK-u dhe BKH./Mili Xhani/ KOHAJONË