Në intervistën e dhënë dje për gazetaren Sonila Meço, Presidenti i Republikës Ilir Meta iu referua shembullit të Alija Izetbegoviçit gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë për të dhënë një mesazh të fortë.
Duke folur në mënyrë të drejtpërdrejtë, Kreu i Shtetit tha madje se “as armiqtë e Shqipërisë por as miqtë e Shqipërisë nuk më shantazhojnë dot kundër interesave të vendit tim, këtë duhet ta keni parasysh”.
PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Keni pengje?
Presidenti Meta: Një gjë duhet të dini: që nuk jam peng i askujt. Për sa i takon kësaj historisë së pengjeve, dhe kjo më bën të lirë dhe të qetë që të marr vendime në interes të vendit, jua thashë edhe më parë: as armiqtë e Shqipërisë por as miqtë e Shqipërisë nuk më shantazhojnë dot kundër interesave të vendit tim, këtë duhet ta keni parasysh. Dhe kam dhe një model kur bëhet fjala në raport me qytetarët shqiptarë, se kam përmendur këta heronjt tanë kombëtarë. Është Alija Izetbegoviç. Kur e morën në aeroport atëhere serbët për shkak të një tradhëtie ndërkombëtare i vunë pistoletën te koka, dhe i thanë merre atë zëvendësin tënd Ejup Ganiç dhe i thuaj të tërhiqet, të dorëzohet! Dhe ai tha dakord. E lidhën në telefon dhe i tha unë jam peng, ju vazhdoni. Çdo politikanë që mund të ketë bërë një gabim, apo që mund të jetë peng i këtij gabimi apo faji apo shantazhi, kurrë nuk duhet të lejojë që për shkakun e tij të sakrifikohet e ardhmja e popullit të tij. Unë këtë gjë e them me bindje dhe me ndershmëri absolute para gjithë qytetarëve shqiptarë. Unë i di dhe gabimet e mia i di dhe ato mangësitë e mia, por di dhe avantazhet e mia.