Pasi merret në pyetje në Hagë flet për mediat Ramush Haradinaj

E mërkurë, 24 July 2019 11:34

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sapo ka përfunduar intervistimin nga prokurorët e Dhomave të Specializuar në Gjykatën Speciale, në Hagë.

Haradinaj tha se ka qenë i ftuar si i dyshuar dhe se nuk ia lejon këshilla ligjore që të japë detaje se për çfarë konkretisht është pyetur.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që mos të përgjigjem për çka jam pyetur. Këto janë procedura ligjore jo për të fsheh diçka nga publiku, por meqë ligji nuk ma lejon… “, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj gjatë prononcimit për media po ashtu tha se arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me nocionin e shtetit dhe sovranitetit. Ai tha se do të kthehet në Kosovë, si të gjithë kolegët tjerë në politikë, në shërbim të qytetarëve.

“Arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me nocionin e shtetit e sovranitetit. Nuk kam dashur ta sjell kryetarin e shtetit këtu. Meqenëse, shteti ka mbetur shtet dhe meqenëse nuk kam obligime do të kthehem si të gjithë kolegët tjerë në politikë, t’u ofrohem qytetarëve. E kam bërë atë që e kam vlerësuar të rëndësishme, sepse kryetari i Qeverisë kur del para hetuesve ka dalë Qeveria, shteti, duhet të kemi kujdes për këtë. Kam dhënë shembull të respektimit të ligjit. Nuk po jap leksione, e kam bërë detyrën time”, ka thënë Haradinaj.

Login to post comments