Në sheshin para Teatrit Kombëtar këto ditë po kryhet një krim shtetëror dhe një turp kombëtar. Qindra artistë që kundërshtojnë shembjen e ndërtesës historike, të informuar se këto ditë institucionet shtetërore do të ndërhyjnë për rrëzimin e Teatrit Kombëtar, janë ngujuar brenda ambienteve të godinës. Të vendosur në kauzën e tyre, artistët kërkojnë që qeveria të mos e shembë ndërtesën për të ndërtuar disa kulla biznesi, por ta riparojë objektin aktual duke e sjellë në kushtet moderne. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, artistët që bëjnë prej ditësh 24 orë roje, panë se forca të shumta policie rrethuan Teatrin Kombëtar. Për të mos lejuar që godina të merrej nën kontroll nga policia, artistët u ngujuan brenda. Apelit të artistëve për të mos lejuar shembjen e godinës iu përgjigjën mijëra qytetarë. Të pranishëm në protestë ishin dje drejtues të opozitës. Por ndryshe nga herët e tjera, krerët e PD dhe LSI deklaruan se kjo nuk është protestë që drejtohet nga politika, por një mbështetje qytetare që opozita dhe kushdo tjetër në Shqipëri ka detyrën morale të bëjë ndaj artistëve. Presidenti Ilir Meta, duke vlerësuar rëndësinë kulturore e historike që ka teatri si pasuri kombëtare, por edhe duke denoncuar ligjin që ka miratuar qeveria për ndërtimin e ri si antikushtetues dhe problematik, dorëzoi dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit. Thirrjes së artistëve që qeveria të tërhiqet nga projekti i cili shkatërron një pasuri kulturore të vendit me një projekt korruptiv, kryeministri Edi Rama ju përgjigj në mënyrë arrogante dhe te dhunshme.
Në një postim në Twitter, Edi Rama deklaroi se teatri do të shembet dhe se një pakicë artistësh e qytetarësh nuk mund të bllokojnë shumicën. Pas këtij qëndrimi të kryeministrit Edi Rama, institucionet e morën sinjalin dhe nisën reprezaljen ndaj artistëve tek Teatrt Kombëtar që janë ngujuar në godinë. Me metoda gati kriminale, forcat e policisë të urdhëruara nga kryeministri fillimisht fikën dritat e godinës, duke lënë në errësirë gjithë artistët që protestonin brenda sallës. Më pas, po me urdhër politik u ndërpre dhe uji në ambientet e Teatrit Kombëtar. Forca të shumta policie rrethuan godinën, ndërkohë që kryeministri urdhëroi që në sheshin para Teatrit të shfaqeshin dhe trupat e forcave speciale me skafandra dhe mjete të tjera ushtarake. Në këtë situatë lufte para sheshtit të Teatrit Kombëtar mijëra qytetarë ju përgjigjën në mbrëmje thirrjes së artistëve. Duke dashur tu vinin në ndihmë artistëve, kolegët e tyre dhe qytetarët tentuan të çanin kordonin e policisë e cila mban të rrethuar godinën. Në këtë moment ka nisur dhe përplasja më e fortë mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Me urdhër nga ministria e Brendshme, forcat e rendit përdorën shkopinj gome dhe gaz lotsjellës kundër qytetarëve dhe artistëve që protestonin në shesh. Por pjesa më e turpshme e qëndrimit të djeshëm nga ana e policisë ishte ndalimi i qytetarëve dhe artistëve që të çonin ujë dhe ushqime për artistët që janë ngujuar brenda Teatrit Kombëtar. Dhunimi i artistëve dhe sjellja e policisë ndaj tyre janë ngjarje që bëjnë të turpërohet çdo shqiptar. Në Shqipërinë e vitit 2019, kur duket se kemi parë që nga zgjedhjet moniste dhe deri të “bashkëqeverisja” me krimin e organizuar, rrahja e artistëve është pika e fundit e degradimit ligjor dhe moral të një qeverisje. Pas masakrimit të aktorëve dje nga policia e shtetit dhe ajo private, çdo qytetar ka të drejtë të mos e shoh më këtë qeveri si përfaqësuese të tij, por vetëm si organizatë që funksionon vetëm për oligarkët që duan të ndërtojnë, si të trualli i Teatrit Kombëtar.
Fatkeqësisht dhuna barbare ndaj artistëve dje në shesh është urdhëruar nga një kryeministër që para se të hynte në politike e prezantonte veten si artist. Kjo e bënë edhe më të rëndë krimin e djeshëm qeveritar ndaj artistëve. Një artist kryeministër që urdhëron masakrimin dhe lënien pa ujë dhe bukë të kolegëve të tij të dikurshëm është pak të thuhet se ka tejkaluar çdo shkelje ligjore. Si kryetar qeverie ka kohë që ka dështuar, por dje hyri eq në histori edhe si kryeministri artist që rrahu artistët./Mili Xhani/ Kohajonë