Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, gjatë vizitës në Shkup, ka theksuar se Maqedonia e Veriut tashmë “është në rrugën e duhur ” megjithëse ka nënvizuar se duhet të përmbyllen reformat e filluara, duke vënë theksin në miratimin e ligjit që rregullon punën e Prokurorisë Themelore Publike, me të cilin pritet të definohet dhe statusi i Prokurorisë Speciale.
Diplomati i lartë amerikan e ka cilësuar si një bazë të mirë propozimin e Qeverisë për ligjin e Prokurorisë
“E theksuam rëndësinë e Ligjit për Prokurori Publike, kemi bazë të mirë në këtë propozim. Shpresoj se procesi do të mbarojë shpejt me përfshirjen e opozitës, ky është moment i shkëlqyer që të gjithë të bashkohen. Duhet t’i tregohet opinionit se sundimi i së drejtës është kyç për vendin dhe askush nuk është mbi ligjin”, ka theksuar Reeker në konferencën për shtyp, pas takimit që ka realizuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Reeker ka porositur opozitën maqedonase që të marrë përgjegjësitë e veta ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara demokratike, duke qenë pjesë aktive në procesin e reformave.
“Ashtu si në çdo demokraci të mirëfilltë, roli i opozitës është kyç, por ajo opozitë duhet të jetë konstruktive.Ka mbaruar koha e lojërave politike dhe loja me perspektivat dhe idetë qytetarëve tashmë ka kaluar”,ka thënë Reeker, duke shtuar se “tani është koha që gjërat të lëvizin për të mirën e vendit”
“Ligji për Prokurorinë Publike patjetër duhet të lëvizë, ndërkaq miratimi i të njëjtit tani do të nënkuptojë që më nuk do të jetë në pikëpyetje dhe se ndërkohë BE-ja mund t’i fillojë bisedimet në vjeshtë”, është shprehur Reeker.
Diplomati i lartë amerikan, gjithashtu, ka theksuar se Maqedonia e Veriut si shtet dhe qytetarët e saj kanë shansin për të vazhduar rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, me ç`rast ka theksuar se kjo do t`i sjell dhe progres ekonomik vendit.
Lidhur me këtë, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka thënë se është i hapur që bashkë me opozitën të bëjë dhe hapin e fundit për arritjen e një ujdie për miratimin e ligjit që rregullon punën e Prokurorisë Themelore Publike që në vete përfshin dhe statusin e Prokurorisë Speciale, për të dëshmuar para faktorit ndërkombëtar, por edhe opinionin e brendshëm se bashkërisht punohet për realizimin e interesave strategjike të vendit.
Zaev ka theksuar se në tetor Maqedonia e Veriut ka shansin për t’i hapur negociatat me Bashkimin Evropian.
“Të gjitha paralajmërimet janë se në tetor do të merret vendimi aq shumë i pritur për fillimin e bisedimeve. Askush nuk dëshiron zhgënjime të reja dhe premtime të rrejshme, as në BE, as këtu në shtet dhe as në rajon. Askush nuk dëshiron që t’i jepet shans një pale të tretë jo qëllimmirë”, ka thënë Zaev
Diplomati i lartë amerikan gjatë ditës është takuar dhe me liderin e opozitës maqedonase, Hristian Mickoski, liderin e partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti, kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi , shefin e diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov, dhe presidentin e shtetit Stevo Pendarovski, ku në fokus të bisedës ka qenë edhe ligji për Prokurorinë Publike.