Nga Kim Mehmeti
Ne, ‘mendimtarë e opinionbërës të pavarur’, ia dhamë poltikës destruktive e kriminale nëpër ‘Shqipëritë’ tona atë për çka kishte më së shumti nevojë: o heshtjen, o promovimin e mendësisë politike se demokraci është edhe kur ‘qelbësirat’ tona e mbivotojnë kundërshtarin politik ‘vrasës’!
Por pa i treguar popullit si ta shpëtojë shtetin nga kalbja, atëherë kur atë do e marrin zvarrë ‘qelbësirat’ e Piktorit! Po pra, politikanët hajdutë e të pandershëm të ‘Shqipërive’ tona, përfituan shumë edhe nga ‘ndershmëria’ e disa ‘mendimtarëve dhe opinionbërsve të pavarur’, por të cilët u pasuruan duke e vënë popullin në gjumë me ‘ninullat’ në formë spektaklesh e debatesh politike, që zbërthenin ‘realitetin politikë'’?!
Pra politika destruktive, e papërgjegjshme, kriminale, përbuzëse … nëpër ‘Shqipëritë’ tona, përfitoi shumë nga ata që e mesonin popullin ç’është demokracia, por duke pasur për vetveten ‘mësuesit’ më të këqij të mundshëm: burrështetasit dhe drejtuesit e partive politike!
Andaj ‘Shqipërive’ tona nuk u sjellin asnjë ndryshim rotacionet qeverisëse, pa ‘rotacionin’ e mendësisë sonë politike, e që nuk arrihet vetëm me ripërtrirjen e ‘gjakut’ partiak, por edhe me promovimin e një gjenerate të re mendimtarësh politikë, që i kemi dhe të cilët në mos më shumë, dinë ta peshojnë saktë fjalën publike dhe që e dinë se nuk është e turpshme të turpërohesh!”