Ditën e premte, 2 gusht, përmes një kërkese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë figurën e Valdrin Pjetrit, teksa shpjegohej edhe arsyeja.
Prokuroria e Përgjithshme nuk ka reaguar menjëherë mbasë kërkesës nga ana e PD, por sot bëhet e ditur se Prokuria ka nisur verifikimin për kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri.
Lajmin e kanë konfirmuar burime zyrtar nga prokuroria.
Kjo lëvizje e Prokurorisë erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike, për të verifikuar pastërtinë e figurës së kryebashkiakut. PD pretendon se Pjetri nuk mund të kandidonte për këtë post pasi ka qenë i ndaluar dhe dëbuar në Itali.
PD thekson se nëse këto të dhëna publike verifikohen pa vonesë nga Prokuroria, kjo do të thotë se Valdrin Pjetri nuk mund ta marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.
Kërkesa e PD-së
“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhej ndër të tjera në letrën e Bardhit.