Ashtu siç ishte paralajmëruar, me 47 vota pro, kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës u zgjodh Briselda Kadia, emri i së cilës ishte vendosur në mbledhjen e djeshme të PS në Shkodër. Ndërkohë mësohet se dy vota ishin të pavlefshme. Këshilli Bashkiak ka zgjedhur edhe 3 nënkryetar bashkie, ata janë Terez Brixha, Arvit Tosja, Suada Selimi. Mbledhja e këshillit Bashkiak u mbajt paraditen e sotme në ambientet e bibliotekës së Universitetit "Luigj Gurakuqi", ndërsa jashtë protestohej kundër: Ata e quajnë procesin farsë.
RTV Ora arriti të zbardhë diskutimet që ishin zhvilluar ditën e djeshme në mbledhjen e PS në Shkodër. Burimet bëjnë të ditur se anëtarëve u është kërkuar që të votojnë Briselda Kadia për kryetare të këshillit.
Emri i Kadisë u miratua mes debateve, që filluan nga ora 19 deri në orën 23:00. Burime për RTV Ora bënë të ditur se Senida Mesi kishte deklaruar se me urdhër të kryeministrit Edi Rama duhet të votohet vetëm emri i Briselda Kadisë.
"Kush nuk voton Briselda do te përjashtohet nga PS", mësohet se ka thënë Mesi, duke cituar urdhërin e Ramës.
Anëtaret e Këshillit kanë kërkuar që të zbatohet ligji dhe të dalin 2 kandidat në garë për kryetar këshilli. Në këtë moment është kërkuar 10 minuta pushim. Më pas është lexuar urdhri i kryeministrit Rama, që të hënën të votohet vetëm një kandidat, ai i Briselda Kadisë.