Pas protestës së mbajtur nga Partia Demokratike jashtë ambienteve të Biblotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku u zhvillua mbledhja e konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, Policia ka nisur shoqërimet e para.
Në një postim në llogarinë zyrtare në “Facebook”, dega lokale e demokratëve në Shkodër njofton se mes të arrestuarve, është edhe kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Arvit Bushati.
Pas këtij shoqërimi, ish-deputeti Bardh Spahia ka shkëmbyer debat me efektivët e Policisë, të cilët i ka pyetur nëse kanë një kërkesë të posaçme për ndalimin e Bushatit.
“Ku e ke kërkesën, zbatoni ligjin dhe mos prek njeri me dorë.”- citohet të ketë thënë Spahia.
POSTIMI I PLOTË
Shkodra,nuk iu përkul komunizmit e kurrsesi nuk do ta pranojë as përkuljen ndaj Edvin Ramës !
Protesta e sotshme ishte shprehja më e qartë e vullnetit të qytetarëve të Shkodrës,e konstituimi i këshillit ilegjitim bashkiak,asgjë tjetër veç një shfaqje e turpshme që kurrsesi nuk i ngjan një konstituimi të vërtetë,kur vendi i organizimit ndërrohet në sekondën e fundit e mbledhja organizohet me prezencën e forcave të FNSH-së. Një shfaqje qesharake brenda një celule të uzurpuar me forcë nga klika e Ramës.
Shfaqje që vazhdon me arrestimet politike njësoj si etërit e tyre,në mes të të arrestuarve edhe kryetari i forumit rinor të Partisë Demokratike,Shkodër Arvit Bushati.
Ne jemi të gatshëm të mbrojmë me çdo kusht Shkodrën nga pushtimi i Rilindasve të cilët përveç krimit e drogës nuk ndjellin kurrë asgjë të mirë.
Të gjithë bashkë për të mos pranuar që e keqja të mbysë djepin e demokracisë !