Është liruar nga burgu kreu i FRPD-së, Arvit Bushati pasi dhjetëra mbështetës të Partisë Demokratike protestuan para komisariatit të policisë së Shkodrës kundër ndalimit të tij.
Shoqërimi i Bushatit në komisariat u bë pas përfundimit të protestës kundër konstituimit të këshillit të ri bashkiak Shkodër, që u shoqërua dhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Burimet e policisë thanë se shoqërimi i përfaqësuesit demokrat është bërë për kundërshtimin dhe goditjen e policisë gjatë përpjekjes së qytetarëve për të çarë kordonin e forcave të rendit, të cilat ishin vendosur te Buiblioteka e Universitetit "Luigj Gurakuqi" gjatë konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak.
Ish-deputeti demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në momentin që policia mori në makinë Bushatin reagoi ashpër për mediat, duke deklaruar se shoqërimi është bërë me urdhër politik. Sipas tij vendi është në prag të diktaturës.
Bardh Spahia: Shqipëria po rrëshqet frikshëm drejt diktaturës dhe deri modeleve të shëmtuara të mbajtjes së pushtetit me dhunë dhe nëpërmjet përdorimit politik të policisë si formë reprezalje ndaj përfaqësuesve të opozitës. Ishte një ngjarje e shëmtuar për të cilën do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat përgjegjës, nga ata urdhëruesit politike deri tek zbatuesit e verbër të urdhrave politike të eprorëve të tyre.
Oficeri i policisë nuk kishte asnjë mandat nga prokuroria. Ishte një grabitje e mirëfilltë e kryetarit të Forumit Rinor nga civilë. Në përgjithësi është në frymën e përdorimit politik të policisë së shtetit për të frikësuar qytetarët e Shkodrës.