Nëse ndokush ka ende dyshime, se në çfarë gjendje e ka katandisur Partinë Socialiste, Edi Rama, mjafton që të lexojë procesverbalin e më poshtëm të mbledhjes që është mbajtur në selinë e partisë të këtij qyteti, një ditë përpara konstituimit të Këshillit Bashkiak të bashkisë së Shkodrës.
Shumica e kryesisë së PS-së dhe e këshilltarëve të zgjedhur nga votimet moniste të 30 qershorit, e pranojnë me zë të lartë se po trajtohen si dele nga Edi Rama e Taulant Balla.
Përçuesja e lajmit se ju jeni vetëm dele në parti është deputetja, Senida Mesi, e cila në këtë takim nuk di të thotë asgjë tjetër përveçse fjalisë; është urdhër nga Rama dhe Balla.
Kulmi i mbledhjes që SYRI.net e përcjell të zbardhur krejtësisht, arrihet kur e paracaktuara nga Rama për të qenë kryetare e këshillit bashkiak, Briselda Kadia, deklaron se për postin që i ka caktuar Edi Rama, ka edhe mbështetjen e Valdrin Pjetrit.
Lexoni të plotë debatin e ‘elitës’ së Partisë Socialiste dhe të deputetëve të saj në Shkodër, për të kuptuar se si funksionon, Edi Rama, jo vetëm me partinë, por edhe me çdo institucion qeverisës.
Më e trishtueshmja e gjithë kësaj historie që do të lexoni më poshtë është se edhe pse shumica e pjesëtarëve në këtë mbledhje kundërshtojnë fortë fillimisht trajtimin e tyre si dele nga Edi Rama, në fund të gjithë ‘votojnë si dele’!
Procesverbali i mbledhjes së PS në Shkodër:
Shënimet e Takimit (Minutat)
Vendi i takimit:
Selia PS- Dega Shkodër
Qëllimi i takimit: Mbledhje me Anëtarë të Këshillit Bashkiak 2019 dhe AS Bashkisë
Data e takimit: 18.08.2019
Objektivat e takimit:
Zgjedhje e Kryetarit të KB, n/Kryetarëve dhe Anëtarëve për Këshill Qarku
Koha e takimit: 19.00
Pjesëmarrës:
Deputetët: Luan Harusha, Senida Mesi; Edmond Emini, Kryetar AS; Astrit Beci, Koord.Elektoral, Këshilltarët Bashkiak, Kryetar KS në NJA
Munguan: Oltion Luli (ndodhet jashtë vendi);
Çështjet e diskutuara
Senida Mesi: Si e deleguar nga Kryeministri dhe Sekr. Përgjithshëm i Partisë z. Balla iu përcjell urdhrin e Kryeministrit që kandidatja për Kryetare Këshilli të jete grua. Për këtë ne kemi propozuar Brisela Kadia. Nga T.Balla kërkohet unitet absolut. Kush nuk do të votojë këtë kandidate do të përjashtohet nga Partia.
(zhurmë në sallë)
Tereze Brigja: Ne nuk jemi dele që na vini me këta urdhra. Së pari të vini e të kërkoni falje për Kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni! Por e njohu KM Valdrinin që na e soli pa pyet?? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë! Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë e mos ta shtojmë turpin...
Senida Mesi: Të mirkuptoj. Nuk të heq një presje. Por ky është një urdhër politik. Të tillë do të ndoshin shpesh edhe kur të jeni në Këshill Bashkiak.
Blediana Nika: Së pari të vinë të na kërkojnë falje. Edhe ju që jeni aty, po..po. Se nuk u morët vesh ju në këta 2.5 vite jemi në këtë gjendje që na katapultojnë njerëz pa na pyet. Unë flas e kam të drejtë të flas, se kam sjellë ma shumë vota se secili në këtë sallë...Dhe mos më drejto gishtin mua kur flet!!
Senida Mesi: Se kush bën vota në Velipojë e dimë mirë! Prandaj respekto debatin dhe fol me radhë. Kij respekt!
Tereze Brigja: Ne jemi në demokraci, dhe nuk pranojmë të komandohemi kështu. Do doja shumë të ishte Edi rama këtu, ti them si më dhemb shpirti për këtë gjendje ku është katandisë PS Shkodër. Na bëri gropën me atë kandidat, që siç e pamë as në zonë të vet në Rrenc nuk fitoi. Nuk pat aftësi me njohtë kandidatin...si merr përsipër me na detyru prap figurë tjetër... Flas se kam kontribut në vite...kam derdhë djersë. A e dini ju ça do me thanë me drejtu njerëz me votu deri në maje të Dukagjinit, nëpër një shteg rruge ku kanë vdekë mbi 75 vetë?? Nuk e dini...se nuk ka të ngjashëm në qytet kjo sforco...Nuk kam më besë ndër njerëz me u kërku votë...se jena malsorë e kena besë! Keni bërë gabim fatal, dhe tani vini prap na komandoni! Të zhytur në turp!
Bledina Nika: Senidë, si dhe kush bën vota në Velipojë e dimë ne! Nëse ti i jep vetes të drejtë me diskutu këtë dhe vjen e na vendos Veto këtu, harron peshën e grupimit...të partisë dhe të votës!! Dhe të kërkoj hallall që të kena ba deputete, se ma ato vota je bërë deputete!!
Diana Muriqi: Pse na vendosni gisht për të zgjedhur një femër? Ça lidhje ka? Nuk e thotë ligji! Po qe për ashtu kemi Aurora Dibrën!
Dhurata Tyli: Në mbledhjen e të premtes, Kryetari na dha mesazh që të jemi të bashkuar. Nëse ju propozoni Briselën, ne le ta vendosim!
Anton Deda: Një sekond! Jo, ne duam Arvit Osjen!
Lulash Nika: Ju jeni deputetë të Qarkut, duhet ju të dakordësoheni më parë. Bënu bashkë dhe dilni me një propozim!
Senida Mesi: Po e kemi dakordësuar ne deputetët! Vendosëm Brisela Kadia
Luan Harusha: Ky është një propozim, vendimet i merrni ju!
Luan Heta: Situata është e paprecedent. Nuk i vemë faj askujt...Ne kemi humb pa kundërshtar dhe kjo nuk na falet. Ngjan me një mallkim! Jam plotësisht dakord me Terezën, nuk po kandidoni atë vajzën se doni ju, por se po na e thonë. Është e pafalshme që ju bëheni transmetues të fjalës së Ballës. Mënyra si na e thoni është e pafalshme. Të na jepni urdhër dhe e mër në emër të KM dhe T. Ballës!!!
Senida Mesi: Ne kemi urdhëër politik për këtë emër. Dhe mos më tregoni mua procedurën e Këshillit Bashkiak.
Bledina Nika: Kjo mënyrë komunikimi si e jotja moj Senidë, iu jep rezultatin që merrni në qytet...
Teuta Zaja: Prezenca e madhe e grave në këtë sallë, na imponon më shumë qetësi dhe vetëpërmbajtje! le të tregojmë qytetari! Ndoshta Senida u shpreh gabim. Por me sa e noh unë figurën e Briselës jam dakord që të jetë një grua, por me qëllim që ta pjekim këtë vendim këtu. Pastaj të diskutojmë nëse duhet Nersada...Aurora..Diana..
Lush Marku: Nuk më pëlqen ky lloj diskutimi. Na duhet të tregojmë tolerancë. Kur nuk gjejmë konsensu në këtë sallë, mendo në sallë tjeter...Debate kemi bërë përherë në parti, ama kemi dakordësuar vendime këtu. Dhe mbi të gjitha kemi bërë përherë analiza. Duhet vetëpërmbajtje. Mirë e tha deputetja, Kryetari i KB i takon të jetë një qytetare shkodrane, grua dhe me eksperiencë. Pastaj...mandate të falura i kmei! Se sa të fortë jemi, u tregua...Sa u respektua Shkodra e kuptuam. Me mandate të falura, çna prish punë kush do jetë Kryetare! Jam dakord me Briselën. I uroj suksese! Do të ishte turp po të mos merrnim 40 vota.
Hilmi Sakti: Po ne nuk jemi repart ushtarak, që urdhërohemi kështu!
Sokol Zaimaj: Mbase jemi të ngarkuar për çka na ka ndodhë...prandaj jemi dhe kaq të irrituar. Të vetëpërmbahemi. Unë propozoj Arvit Osjen, dhe Jona Lëqejzën për n/Kryetare.
Besmir Vukaj: Ne të votojmë këtu për çdo person! Që nesër të shkojmë me rezultat të dalë nga vota!
Marjan Ndërshtiqaj: Kjo mënyra si po procedohet në PS spo na motivon hiç ne të rinjve. Si i thonë në Shkodër ‘tavë krapi’ ashtu po na serviren Kryetarët...dhe kjo po na bëhet shumë kosto. Unë propozoj Arvit Osjen për Kryetar!
Hilmi Sakti: Kam punuar në ushtri sa kohë, dhe kështu ‘demokracie’ skam parë kurrë. Këtë vajzën po e digjni kot, veç nga kjo mënyrë si po e hidhni në treg...Të paktën na propozoni dhe një djalë dhe le ta votojmë. Unë propozoj Arvit Osjen. Gjithahstu salla që keni zgjedhë për Konstituim nuk është menduar fare...te ish-Komiteti Partisë!!! Lutem konsiderojeni sa më parë ta ndryshoni!
Daniela Jakoja: Kam një problem personal! Po më godasin në rrjete sociale me profile fallco për shkak të përkatësisë time etnike. mendoj se është nga kjo sallë. Kush të ketë diçka personale, le ta flasë në sy! Me këtë rast propozoj veten për n/kryetare këshilli se kam biseduar më heret dhe me Valdrinin...
Gerald Hasaj: Kjo mënyrë propozimi të emrave është shumë problematike! E pësuam për Bashkinë! Pse na detyroni prap? Unë propozoj Arvit Osjen.
Kristi Shllaku: Propozoj Arvit Osjen.
Nersada Mandija: Propozoj Arvit Osjen. Le ta bëjmë me votim, edhe të hapur. Të çojë dorën kush është për Arvit Osjen, Kryetar!
(Ngrihen 32 duar)
Senida Mesi: Një sekond se po na ngatërroni!!Ka vendim politik për këtë. Brisela është kandidatura e dakordësuar nga ne deputetët.
Brisela Kadia: I kuptoj polemikat për 2 arsye. E para për shkak të situatë s ë ditëve të fundit, dhe e dyta se nuk jemi mësuar e pushtet. Unë jam kontaktuar para një muaji për këtë pozicion. Kam mbështetjen e deputetëve, e kisha dhe të Valdrinit.
Hekuran Gjorreta: Na vinë veç katapultime. Nuk jemi dele. Prap po na katapultoni. Unë nuk e njoh
Hilmi Sakti: Të bëjmë proces, të zgjidhet këtu brënda nesh, sonte!
Aurora Dibra: Ju falenderoj për kandidimin, si dhe për përfshirjen në skuadrën e KB Shkodër, edhe pse kam kaluar dhe 1 mandat para 8 vitesh. Nuk kam aspirata për Kryetare, ama çështjet e mjedisit të cilat jnaë specialiteti im profesional dëshiroj të vazhdoj ti çoj përpara. Nesër jam për votim unanim, pasi ta kemi dakordësuar këtu.
Luan Heta: Unë jam 1 nga ata që kam dëshirë për Kryetar por jam tërhequr!
(salla njëzëri: kur u tërhoqe se ti na ke bërë telefonata për votë)
U tërhoqa tani,pra! Të dalim me emrin për të cilin kanë konsensus ata lart! Janë vendime politike!
Arvit Osja: Është normale që kemi diskutime, edhe që çojmë zërin. Më shqetëson si u hap mbledhja dhe si na servirët një emër nga ‘lart’. pa na pyetur më parë. Brisela është mikeshë e imja, ndoshta dhe njeriu më i dahsur i imi në këtë sallë. Më shqetëson fakti që ju citoni fjalën e KM këtu apo të sekr,Përgjithshëm...nuk e vesoj kurrë se ata na imponojnë emër ne.
Senida Mesi: Edhe ti kur u zgjodhe Kryetar Partie, me një emër u votua!
Arvit Osja: E vërtetë, ama kishte zgjedhje pro/kundra. ne le të biem dakord sonte. Ama votimi është nesër në sallë të KB. Ju thoni jemi dakordësuar, por ne ja ku jemi akoma në mbledhje dhe të padakordësuar. këtu. Të biem dakod këtu e nesër të mos lejmë nam.
Hilmi Sakti, drejtuar Luan Hetës: Do japësh llogari para KM, që je dakordësuar me ata tjerët dhe vjen e e bën zhurmuesin këtu sa herë flet njeri. Po na tregon si negociohet pa bërë zgjedhje! Kam ardhë para jush në PS.
Senida Mesi: Ju veç do thoni po.
Hilmi Sakti: Kam mbledhë vota fshat më fshat...kam sjellë 800 vota këtu. Prandaj dhe këtu do votoj!
Kërkohen 10 minuta pushim, që të dakordësohen mendimet! Sillet kutia e votimit në sallë!
Ora 22.00- rifillon mbledhja
Luan Harusha: Ju bëj me dije çfarë vendosëm bashkë me deputeten S.Mesi: Për Kryetar KB do votoni Brisela Kadia, n/Kryetarë: Arvit Osja, Tereze Brigja.
Kandidatë për Këshill Qarku: Jona Lëqejza, Sokol Zaimaj, Ardita Spahia, Lush Marku, Blediana Nika, Diana Muriqi, Hilmi Lakti.
Mbedhjen e deklarojmë të mbyllur!