Eshtë ekstraduar nga SHBA një përson i cili ka vuajtuar një denim prej 5 vitesh për vjedhje me armë.
“Z.Q.K. Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS) ka ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri shtetasin D.M, 32 vjeç, lindur në Elbasan”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ja njoftimi:
Policia e Shtetit
Bashkëpunim i ngushtë mes Interpol Tirana dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS).
Ekstradohet nga SHBA, një shtetas i dënuar në Shqipëri për falsifikim të dokumenteve. Ky shtetas i dënuar dhe në SHBA, ku ka kryer 5 vite burg për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”.
Z.Q.K. Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS) ka ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri shtetasin D.M, 32 vjeç, lindur në Elbasan.
Në aeroportin “Nënë Tereza” me ndihmën e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ICE-ERO), Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), u ka dorëzuar specialistëve të Z.Q.K. Interpol Tirana 32-vjeçarin D.M.
Ky shtetas ka vuajtur dënimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka qenë i dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Illinois/SH.B.A, me vendim penal nr. 10CR217, datë 11.05.2011, për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Rasti i fundit është një prej listës së gjatë të ekstradimeve që DSS ka kryer në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana. Suksesi i këtyre rasteve të zbatimit të ligjit ndërkombëtar është për shkak të lidhjeve të ngushta dhe marrëdhënieve të forta midis Zyrës së Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), ZQK Interpol Tirana dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Falë këtij niveli të lartë bashkëpunimi, shumë vrasës, vrasës të punonjësve të policisë, trafikantë droge, grabitës të armatosur, kontrabandistë njerëzish dhe shumë kriminelë të tjerë, janë ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri ose nga Shqipëria në SHBA për t’u përballur me drejtësinë për krimet e kryera.