Në 15 vitet e ardhshme (2019-2032), qeveria është angazhuar në projekte të Partneritetit Publik-Privat (PPP), për të cilat do të duhet të paguajë në total 2 miliardë euro, që do të vijnë nga paratë, që mbledh nga taksapaguesit.
Pagesat do të dyfishohen në 4 vitet e ardhshme, duke kulmuar në 2022, për të rënë më pas lehtë në vitet në vijim. Kjo do të përqendrojë burimet vetëm në pak projekte, duke kufizuar kryerjen e shpenzimeve të tjera kapitale. A rrezikojnë financat të tejkalojnë kufirin vjetor të pagesave, që do t’i detyronte të korrektonin të ardhurat, duke shkaktuar rritjen e taksave?! Për kompanitë koncesionare, biznesi me shtetin po rezulton i kënaqshëm, me norma fitimi që arrijnë në rreth 20%, por buxheti po shpenzon shumë për projekte pa produktivitet të lartë
Nga Ornela Liperi
Fatura që qeveria shqiptare është angazhuar të paguajë nga buxheti për projektet koncesionare të formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP) për periudhën 2019-2032 parashikohet të arrijë në 250 miliardë lekë, ose gati 2 miliardë euro, sipas tabelave të publikuara nga Ministria e Financave.
77% e kësaj shume është tashmë e kontraktuar, teksa ka mbetur pezull vetëm koncesioni “Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Thumanë-Vorë”, me vlerë 56.4 miliardë lekë, por gjithsesi për të është dhënë miratimi nga Ministria e Financave për mbështetje buxhetore.
Nga 12.6 miliardë lekë që pritet të jenë pagesat nga buxheti për faturat e koncesioneve për këtë vit, ato do të kulmojnë në 2024-n, me 23.1 miliardë lekë, për të rënë më pas lehtë në vitet e ardhshme, duke zbritur në 2032 në 11.7 miliardë lekë. Pas këtij viti, i vetmi koncesion që do të vazhdojë të paguhet nga buxheti është ai i inceneratorit të Tiranës, me 1.5 miliardë lekë në vit deri në 2041. Në total, numri i kontratave koncesionare të miratuara, ose që kanë fituar mbështetjen buxhetore është 14. Rreth 60% të shumës së angazhuar e zënë kontratat për 4 rrugë, Thumanë – Vorë, Orikum – Dukat, Milot – Balldren dhe Rruga e Arbrit.
Komisioni Europian, në raportin e tij të fundit për vlerësimin e programit ekonomik të vendit, ka shprehur shqetësimin se kjo rritje e PPP-ve nuk po shoqërohet me shtim të stafit, që do të ishte në gjendje të monitoronte dhe të vlerësonte këto kontrata dhe projekte komplekse. Kjo nënkupton që detyrimet financiare publike të lidhura me PPP-të nuk po adresohen si duhet dhe nuk po regjistrohen nga ana statistikore.
Banka Botërore, nga ana e saj, ka paralajmëruar për rreziqet fiskale të koncesioneve të formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP) dhe ka kërkuar forcimin e menaxhimit të tyre, për të cilën ajo është angazhuar praktikisht edhe vetë.
“Është jetike që Shqipëria të vijojë ta forcojë kuadrin e menaxhimit të PPP-ve, gjë që do të trajtonte si risqet fiskale, ashtu edhe sigurimin e maksimizimit të vlerës”, thonë ekspertët e Bankës. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka qenë vazhdimisht kritik ndaj vrullit të qeverisë për t’u angazhuar në projekte të Partneritetit Publik-Privat. Sipas saj, PPP-të nuk janë të integruara mirë në kuadrin e përgjithshëm të menaxhimit të investimeve publike, për vlerësimin e fizibilitetit, përballueshmërisë dhe rreziqeve.
Shqetësimet për PPP-të shihen në tre këndvështrime:
-Së pari, projektet PPP nuk raportohen si borxh, por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korrente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Nëse detyrimet potenciale prej 2 miliardë eurosh do të llogariteshin si borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm qeveritar do të rritej menjëherë me 15 pikë përqindje, duke e çuar atë në 83% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 68% që është aktualisht.
-Së dyti, nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave.
-Së treti, ka munguar një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë e rriten pa kontroll (si te Milot-Balldren), apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi).
A do të ruhet kufiri vjetor i pagesave
Ministria e Financave, në tabelat e saj, parashikon që në asnjë vit të mos cenohet respektimi i rregullit fiskal, në bazë të të cilit, pagesat për koncesionet nuk duhet të kalojnë 5% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm. Viti, kur kjo pagesë parashikohet t’i afrohet më shumë këtij kufiri është në 2022, me 4.3%.
or, llogaritjet janë bërë në bazë të planit të të ardhurave. Përvoja e gjithë këtyre viteve ka treguar se planifikimi i para tre viteve ka qenë gjithnjë optimist, ndërsa të ardhurat faktike kanë qenë gjithnjë më pak se plani dhe zgjerimi real i tyre ka qenë edhe negativ, nëse marrim në konsideratë rritjen ekonomike dhe inflacionin. Kjo situatë ka bërë që financat gjithnjë të rishikojnë në ulje pritshmëritë. Nëse shohim kuadrin afatmesëm të vitit 2016-2018, të miratuar në janar 2015, të ardhurat tatimore në 2018-n duhet të ishin 476 miliardë lekë, por në fakt ato rezultuan në 419 miliardë lekë, ose 12% më të ulëta.
Në kuadrin makro, 2017-2019, të miratuar në shkurt 2016, plani për të ardhurat tatimore në vitin 2019 ishte rreth 470 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin 2019, pritet që kjo shifër të mos jetë më shumë se 447 miliardë lekë, ose rreth 5% më pak (duke supozuar se plani do të realizohet i plotë, ndërkohë që në 6 muajt e parë të vitit ka një nivel faktik 2% më të ulët).
Nëse të ardhurat faktike do të vijojnë të jenë më të ulëta se plani, atëherë kufiri prej 5% mund të arrihet brenda 3-4 viteve të ardhshme. Edhe FMN ka paralajmëruar në raportin e saj të fundit se “pagesat e parashikuara të buxhetit vjetor për PPP-të (të financuara nga qeveria) po i afrohen tashmë kufirit të ligjshëm që arrin në 5% të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar”.
Ligji i miratuar në 2016 parashikon se, në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore. Termi teknik korrektim në krahun e të ardhurave do të thotë rritje të taksave deri kur këto të jenë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e programuara të PPP-ve.
FMN parashikon dhe përkeqësim të rendimentit fiskal në vitet në vijim.
Teksa ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 4% në periudhën afatmesme, të ardhurat tatimore nuk do të mund të ndjekin rritjen, përkundrazi raporti i tyre me Prodhimin e Brendshëm Bruto do të vijë me ulje. Në vitin 2024, të ardhurat buxhetore në përqindje të PBB-së do të arrijnë në 26.9 nga 27.6% që ishin në fund të vitit 2018.
Financave u kufizohet mundësia për investime të tjera kapitale
Angazhimi me pagesat për koncesionet në 10 vitet e ardhshme i jep pak mundësi qeverisë që të përqendrohet në projekte të mëdha zhvillimi në afatin e mesëm e të gjatë. Mesatarisht, shpenzimet kapitale çdo vit, janë luhatur në rreth 60-70 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Në vitin 2024, pagesat për 14 koncesione do të arrijnë rreth 23 miliardë lekë, një shumë që është mesatarisht sa një e treta e asaj që investohet sot në total për rrugë, shkolla, spitale etj. Teksa qeveria është angazhuar për të pasur minimalisht një suficit primar (suficiti ose deficiti përpara kostove të interesit) si mënyra e vetme për të ulur borxhin, financat do të jenë të detyruara që përballë pagesave fikse për koncesionet, të heqin dorë nga investime të tjera potenciale për të ruajtur parametrat e buxhetit.
Në kahun tjetër mungon një analizë se sa këto projekte do të rrisin produktivitetin e ekonomisë, apo do të përmirësojnë cilësinë e jetës për qytetarët e saj. Psh, çfarë vlere të shtuar i sjell ekonomisë shpenzimi i 256 milionë eurove për rrigën Milot Balldren, e cila pritet t’u kursejë vetëm pak minura kohë shoferëve, ndërkohë që pjesa kryesore e rrugës nga Fushë Kruja do të vijojë të përballojë trafikun kryesor.
Ashtu si ecuria e deritanishme e koncesioneve në shëndetësi (për të cilat do të shpenzohen rreth 300 milionë euro në një dekadë) po rezulton pa efekt në treguesit e shëndetit.
Të dhënat e Eurostat treguan se Shqipëria është i vetmi vend që ka shënuar rritje të ndjeshme të vdekshmërisë foshnjore në dekadën e fundit, ndërsa INSTAT raporton se numri i të shtruarve në spitale u rrit në 2018-n. Niveli i vdekshmërisë nga tumoret u rrit në 2018-n, me 1,4 % krahasuar me vitin 2017, në një nivel prej 128,9 për 100 mijë banorë.
PROJEKTET ME KONCESION
Ndërtimi, Operimi dhe Mirëmbajtja e Rrugës Milot – Morinë
Koncesioni për Ndërtimin, Operimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, u miratua në 2016-n, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të 2018-s. Kompania fituese është Albanian Highway Concession, një konsorcium mes dy kompanive të mëdha, Kastrati dhe Salillari (me nga 50% secila).
Ndonëse koncesionari do t’i marrë pjesën më të madhe të të ardhurave nga tarifat e kalimit prej 5 eurosh për autoveturë dhe 22 euro për kamion, buxheti parashikon t’i paguajë nga fondet e taksapaguesve edhe 12.4 miliardë lekë për periudhën 2019-2032, si kompensim për trafikun e munguar.
Ofrimi i Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up)
Koncesioni i Ofrimi i Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up) është nënshkruar në vitin 2015. Fitues ishte kompania 3P Life Logistic, në pronësi 80% të një prej kompanive më të mëdha distributore në vend Marketing&Distribution dhe 20% të Trimed, po pjesë e grupit. Afati i saj është 10 vjet. Vlera totale e saj ishte 8.7 miliardë lekë dhe deri në përfundim të saj, në vitin 2024, buxheti pritet të disbursojë edhe 5.2 miliardë lekë.
Kompania zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 35-65 vjeç. Fillimisht grupmosha fokusohej në shëndetin e popullatës së mesme (40-65 vjeç), por më pas u ul në 35 vjeç.
Sterilizimi pajisjeve kirurgjikale
Po në vitin 2015, qeveria miratoi koncesionin për “Ofrimi i shërbimeve të Integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar. Koncesioni u fitua nga Kompania Saniservis. Deri në vitin 2025, buxheti duhet t’i paguajë kompanisë 12.3 miliardë lekë.
Ofrimi i Shërbimit të Dializës
Shërbimi i Dializës u dha me koncesion në fillim të vitit 2016, për 10 vjet. Fituesi ishte DiaVita. Sipas kontratës me qeverinë DiaVita do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.
Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në 2025-n.
Laboratorët
Pas dy vitesh pezull, në prill të këtij viti, qeveria miratoi kontratën koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”. Koncesioni i laboratorëve ishte fituar në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; Labopharma sh.p.k me 41.7%, Exalab France me 25% dhe AB Laboratory Solution BV, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë me 33% pjesë në konsorcium. Për këtë koncesion do të paguhet 8.7 miliardë lekë për 10 vjet.
Inceneratorët
Për të tre inceneratorët, të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, buxheti pritet të paguajë edhe 46 miliardë lekë deri në 2046. Projekti më afatgjatë është inceneratori i Tiranës, që është i shtrirë deri në vitin 2046 dhe do të marrë pagesa nga buxheti në total prej gati 40 miliardë lekësh (314 milionë euro) për periudhën 2019-2046.
Ky është dhe projekti më i shtrenjtë që paguhet nga shpenzimet korente. Shoqëria “Integrated Energy BV SPV”, në pronësi të Integrated Energy B.V., ka fituar të drejtën e koncesionit 30-vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 550-800 tonë/ditë, sipas kontratës. Inceneratori i Tiranës është një nga tre projektet e kësaj natyre në vendin tonë, ku i pari ishte ai i Elbasanit, i Albtek Energy, me kosto totale prej 5.3 miliardë lekë, tashmë në gjendje pune. I dyti, inceneratori i Fierit, me kosto 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë.
Inceneratori i Elbasanit, një koncesion 7-vjeçar, do të marrë pagesa edhe për 5 vjet të tjera, deri në 2023, me një total të mbetur prej 3.3 miliardë lekësh. Fieri, një koncesion 6-vjeçar, ndonëse ka filluar ndërtimin me vonesë ka marrë pagesa prej 753 milionë lekësh në 2018-n, ndërsa edhe për 5 vitet e tjera, deri në 2023, do të marrë edhe gati 3.8 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues do të jetë rreth 180-200 tonë/ditë.
Nëse të tre inceneratorët do të viheshin në punë, kosto totale në buxhet do të arrinte në rreth 40 miliardë lekë dhe kapaciteti total mesatar i përpunimit në rreth 1000 tonë në ditë, ose rreth 130 kg për frymë në vit, duke rezultuar në mbi kapacitete.
Nëse krahasohet me të dhënat e Eurostat për shtetet e BE-së, rezulton se vetëm vendet e zhvilluara kanë kapacitet më të lartë. Gjermania e ka kapacitetin për frymë të përpunimit të mbetjeve përmes inceneratorëve 474 kg/frymë në vit; Franca 205 kg/frymë në vit dhe Austria me 380 kg/frymë/vit. Të tre këto shtete kanë një nivel gjenerimi të paktën dyfish të plehrave për frymë, në krahasim me Shqipërinë.
Ndërsa po nxiton me inceneratorët, Shqipëria ka bërë shumë pak për riciklimin, duke u renditur ndër të fundit në Europë. Ajo riciklon vetëm 76 kg/frymë në vit, që është sa gjysma e mesatares europiane prej 144 kg/frymë sipas INSTAT dhe në rënie në krahasim me disa vite më parë, kur p.sh., në 2014-n riciklimi arrinte deri në 96 kg/frymë.
Skanimi
Skanimi është i vetmi koncesion nga qeverisja e mëparshme e Partisë Demokratike, për të cilin paguhet nga buxheti. Marrëveshja u miratua në 2013-n, në ditët e fundit të qeverisë “Berisha” dhe filloi zbatimin në 2015. Qeveria e mëpasshme socialiste u përpoq ta anulonte, por siç ka rezultuar rëndom, shanset për ta anuluar janë të pakta, pasi gjykatat ndërkombëtare mbrojnë kompanitë dhe jo gabimet politike të shtetit. E vetmja gjë që u arrit ishte rishikimi i marrëveshjes për uljen e tarifave dhe zgjatjen e afatit. Për 12 vitet e mbetura, buxheti do të duhet të paguajë edhe 23.4 miliardë lekë (deri në vitin 2030).
Rrugët
Projektet e rrugëve do të marrin pjesën e luanit të koncesioneve. Kjo formë e Partneritetit Publik-Privat ka ngjallur diskutime për kostot e larta me të cilat po shoqërohet dhe shmangien nga projektet e rrjetit paneuropian, për të cilat mund të kërkohen grante dhe financime nga donatorët.
Ndërtimi dhe Operimi i Rrugës Thumanë-Vorë, më i shtrenjti me kosto totale, 56.4 miliardë lekë, është për momentin i pezulluar, ndonëse paraqitet në tabelat e financave si Projekt i avancuar, për të cilin është dhënë miratimi me mbështetje buxhetore.
Rruga Thumanë-Kashar ishte pjesë e projektit “one billion” dhe iu nënshtrua procedurave të prokurimit pas një oferte të pakërkuar të bërë nga Gener 2, e cila në fund rezultoi edhe si kompania fituese në 2018-n. Në janar të këtij viti, qeveria njoftoi ndërprerjen e procedurës, duke theksuar se kjo hapësire fiskale do t’i dedikohet angazhimit tjetër të qeverisë për “Paktin me Universitetin”.
Rruga e Arbrit ka nisur punimet në qershor të vitit të kaluar, pasi Gjoka Konstruksion fitoi garën me një vlerë 33.6 miliardë lekë. Financat kanë filluar pagesat që këtë vit me 2.6 miliardë lekë dhe deri në 2030 pritet që kompania të paguhet 40.6 miliardë lekë.
Koncesioni Ndërtimi dhe Operimi i Portit të Jahteve Orikum – Dukat parashikon një total prej 11.8 miliardë lekësh për 11 vjet. Kuvendi miratoi në 18 korrik të këtij viti koncesionin për një pjesë të rrugës, një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me By Pass-in e Orikumit dhe Dukatin, që e fitoi “Gjikuria”, sh.p.k.
Po më 18 korrik, Kuvendi miratoi një koncesion shumë të diskutuar Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”, për një total prej 256 mln euro (shih nënndarjen Kostot e çmendura të Milot-Balldren).
KONCESIONET PO REZULTOJNË FITIMPRURËSE PËR KOMPANITË, POR PËR SHTETIN…
Një nga përparësitë teorike të PPP-ve është ndarja e rrezikut me privatin. Në Shqipëri, kjo nuk duket të ndodhë. Për koncesionet e dhëna në 2015-n, sipërmarrjet private kanë nisur të shijojnë tashmë frytet, me pagesa të sigurta dhe norma fitimi të kënaqshme, duke i bërë një investim fitimprurës në raport me kapitalin që kanë angazhuar.
Sani Service, koncesionari i sterilizimit, raportoi 404.7 milionë lekë (rreth 3.2 milionë euro) fitime në 2018-n, me një rendimet (fitim
bruto/ardhura) prej 21%, sipas të dhënave nga Tatimet. Nëse do të mbajë të njëjtën normë fitimi dhe në vitet e ardhshme (ndonëse fitimet mund të rezultojnë më të larta pasi amortizimi i investimit sa vjen e ulet), kompania ka të garantuara dhe të paktën 20 milionë euro fitime në 7 vitet e ardhshme. Kjo shumë do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një spital nga e para.
Për çdo operacion që ofrohet në sallat shqiptare të operacionit, Saniservis paguhet 37,700 lekë për ndërhyrjet me intensitet të lartë, 22,300 lekë për ndërhyrjet me intensitet të mesëm, 13,900 lekë për ndërhyrjet me intensitet të ulët dhe 266 lekë për ndërhyrjet dhe 266 lekë për paketimet.
3P Life Logistic, koncesionari i check up, raportoi fitime prej 90 milionë lekësh, me normë fitimi prej rreth 10%. Kompania ka të garantuar pagesat për kontrollin e 475 mijë personave, pavarësisht sa kontrolle kryen realisht. Qeveria e paguan kompaninë me 12 euro për çdo kontroll, teksa pjesa më e madhe e analizave kushtojnë në laboratorët privatë jo më shumë se 3 euro.
Integrated Technology Services, koncesionari i mbetjeve të Elbasanit raportoi fitime prej 95.6 milionë lekësh në 2018-n, me një normë kthimi prej 15%.
Albanian Highway Concession për tre muajt e parë të aktivitetit raportoi 161 milionë lekë fitime, me një normë fitimi prej gati 15%. Edhe kjo kompani e ka fitimin e garantuar, pasi do të kompensohet nga shteti për trafikun e munguar./MONITOR