80 vjet nga pakti Molotov-Ribentrop, Evropa ka ditë përkujtimi, por në Shqipëri po shfaqet neofashizmi

Saturday, 24 August 2019 09:13

Nga Ilir Nikolla

Çdo 23 gusht, Evropa e qytetëruar përkujton viktimat e regjimeve totalitare fashiste (naziste) e komuniste. BE-ja, si një sistem vlerash, që kërkon të mbrohet e të ndërtojë profilaksinë, që mynxyra të tilla të mos e godasin më, e ndjen se edhe pse kanë kaluar thuajse 75 vjet nga rënia e nazizmit dhe 30 vjet nga rrëzimi i Perdes së Hekurt, ka nevojë të kujtojë tmerret e së shkuarës, për t’u ruajtur e për t’u mbrojtur nga rreziqet e së ardhmes.
Si Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare u caktua 23 gushti, për shkak se me 23 gusht 1939, u firmos pakti Molotov-Ribentrop mes dy diktaturave totalitare më të egra që kanë goditur botën, firmë që i çeli rrugën deportimit dhe vrasjes së dhjetëra milionë njerëzve nën regjimet totalitare. Fundi i Luftës së Dytë Botërore shënoi shpëtimin e kombeve nga nazizmi dhe në bilancin e kontributeve spikat faqja e lavdishme e Shqipërisë, e cila ishte i vetmi vend që regjistronte në truallin e vet më shumë hebrenj në vitin 1945, sesa në vitin 1939. Mosdorëzimi i hebrenjve ishte një kontribut i përbashkët i të gjiithë shoqërisë shqiptare, pa dallime krahinore e fetare, por pas 1945-s, shoqëria jonë, ashtu si edhe mjaft shoqëri evropiane vijuan të vuanin për dekada nën regjimin totalitar komunist. Shqipëria renditet si vendi që pësoi diktaturën më të egër komuniste, e cila e çoi atë jo vetëm në një izolim të pashembullt, duke e shkëputur nga hapësira jetike perëndimore, ku populli shqiptar ishte prej mijëra vjetësh, e duke e zvetënuar shpirtërisht, por e çoi në prag të urisë dhe vetëshkatërrimit.
30 vjet pas rënies së komunizmit, Bashkimi Evropian, hapësira e vendeve më të zhvilluara e më demokratike të botës, së bashku me SHBA-të, ndjen nevojën për të kujtuar viktimat e regjimeve totalitare, sepse kështu mban gjallë kujtimin e viktimave e u bën atyre një homazh, por pikë së pari, sepse bën qëndresë publike ndaj ekstremizmit, urrejtjes, racizmit e ksenofobisë, ideologji prej nga lindën edhe fashizmi (nazizmi), edhe komunizmi.
Në këtë 80 vjetor të paktit Molotov-Ribentrop, në Shqipëri, Dita e Viktimave të Regjimeve Totalitare nuk duhet të ketë vetëm funksion përkujtues. Shqipëria është në një emergjencë të vërtetë demokratike dhe arritjet, vlerat më të mira të qytetërimit perëndimor, që shqiptarët i fituan me Lëvizjen madhështore Demokratike të 1990-s, janë vënë në pikëpyetje. Sëmundje të rënda të demokracisë si korrupsioni, oligarkia dhe “shteti i kapur” i kryeministrit po i godasin njëkohësisht këto arritje. Për shkak të varfërimit të tejskajshëm, shenjtëria e votës nuk është më aq e shenjtë, fjala e lashtë “guri i rëndë në vend të vet” nuk është më aq e rëndë për të rinjtë tanë që po marrin rrugët e kurbetit dhe nxitimi i viteve ’90 për të mbërritur kombet e qytetëruara është shndërruar në një mungesë shprese fatale, një gjendje që po vë në rrezik vetë sistemin demokratik.
Kjo gjendje e rëndë është e jashtëzakonshme, prandaj edhe kërkon një qëndresë të pazakontë. Të rinjtë që bënë Lëvizjen madhështore Demokratike të ’90-s sot janë baballarë që janë thirrur sërish në misionin e shenjtë të rikonfirmimit të arritjeve të tyre. Për të ardhmen e fëmijëve të tyre, por edhe për të kthyer shpresën, ata duhet të përmbyllin misionin që nuk u përmbyll: të nxjerrin nga politika ata që e trashëguan hipotekën e 50 viteve diktaturë dhe e kanë shndërruar sot në një oligarki që po i zë frymën ekonomisë, që po na rikthen luftën e klasave, nëpërmjet shpronësimeve, prishjeve të banesave pa gjyq, gjobave e përjashtimit nga ekonomia e tregut, dhe që fatkeqësisht po e shndërron gjithë vendin në një plantacion të madh të kanabisit e kontrabandës, veseve të trashëguara nga diktatura komuniste, por që tani ka marrë përmasa industriale.
Ky mision nuk është hakmarrje, është një profilaksi që i duhet Shqipërisë, në mënyrë që të dalë nga tranzicioni i tejzgjatur. Në këtë mision, janë thirrur të gjithë, ish-studentët e dhjetorit, intelektualët, studentët e profesorati, rini dhe shoqëria civile. Misioni i mbylljes së tranzicionit kalon detyrimisht edhe nga vendosja në vend e dinjitetit të ish-të përndjekurve politikë, nga ndalimi i antikulturës së lëndimit të dhimbjes së tyre, nga glorifikimi i kujtimit të xhelatëve të tyre, por pikë së pari e para së gjithash kalon nga largimi prej institucioneve i mbetjeve të Sigurimit të Shtetit dhe udhëheqjes së Partisë Së Punës (Komuniste). “Shteti i kapur” i kryeministrit aktual na i ka katapultuar ata kudo, prandaj rikthimi i dinjtetit të ish-të përndjekurve politikë, është zemra e këtij ndryshimi të madh që po kryen shoqëria shqiptare, për të dalë nga emergjenca demokratike ku ndodhet dhe për të mbyllur tranzicionin e saj të stërzgjatur.
Mënyra se si Bashkimi Evropian nderon viktimat e regjimeve totalitare duhet të jetë një shembull për shoqërinë shqiptare. Afrimi me Evropën duhet të nisë nga respektimi i viktimave të diktaturës komuniste, duhet të nisë me nxjerrjen nga sistemi politik i të gjithë xhelatëve komunistë që lëvrijnë në zyra shtetërore, në polici e në sistemin e drejtësisë, duhet të nisë me ndalimin me ligj të praktikave që burojnë nga zyra e kryeministrit në ikje për glorifikimin e diktatorit e të diktaturës.
23 gushti është për Evropën një ditë përkujtimi, kurse për shqiptarët është ende një ditë që na rrëfen parakushtin e paplotësuar në rrugën drejt afrimit me BE-në, drejt afrimit me qytetërimin perëndimor, pra drejt afrimit me vetveten.

69166495_366770247586931_6005136257229783040_n.jpg

69447643_366770244253598_8635486469680529408_n.jpg

Login to post comments