Prokuroria e Pergjithshme ka dhene sot detaje lidhur me levizjet qe ka bere per akuzat ne adrese te Agim Kajmakut te zgjedhurit si kreu i bashkise se Vores ne votimet e 30 qershorit.
Ne vijim te akuzave te vazhdueshme te PD-se, se fundi me fakte dhe prova per arrestimin e tij ne Janine, per pasaporten me emrin Jorgo Toto, gjurmet ne sistemin TIMS e keshtu me radhe, prokuroria ka dhene detaje me hapat qe ka ndjekur per hetimin.
“I është kërkuar shtetasit Agim Kajmaku të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore dhe këtij të fundit të përcjellë gjurmët daktiloskopike pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe ende nuk është administruar një përgjigje në lidhje me këtë kërkesë. Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën”- thuhet ne deklaraten e PP.
Sipas Prokurorise se Pergjithshme, “Rasti është vlerësuar me përparësi dhe të gjitha veprimet e mundshme janë kryer brenda një afati prej 7 (shtatë) ditësh nga momenti i paraqitjes së kërkesës për verifikim”.
Nderkohe PP thekson se eshte “në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke të drejtësisë dhe atyre policore, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi”.
DEKLARATA E PLOTE
Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në media lidhur me procedurën e verifikimit të subjektit Agim Kajmaku, Kryetar i Bashkisë Vorë, ju informojmë në lidhje me veprimet e kryera prej Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, deri ditën e sotme:
Më datë 23.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të ligjit Nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ka regjistruar kërkesën e Partisë Demokratike për verifikim të thelluar për subjektin Agim Ymer Kajmaku.
Në të njëjtën datë, i është kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Formulari i Vetëdeklarimit të subjektit të sipërcituar si dhe çdo verifikim paraprak i kryer, i cili me shkresën Nr. 14197 Prot. datë 27.08.2019 ka paraqitur Formularin e Vetëdeklarimit.
Më datë 26.08.2019, u është dërguar kërkesë :
• Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, e cila me shkresën Nr. V-2629/1 Prot. datë 27.08.2019 ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për subjektin Agim Kajmaku;
• Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila me shkresën Nr. 6854/1 Prot. datë 29.08.2019, ka konfirmuar të dhënat në lidhje me gjeneralitetet e subjektit Agim Kajmaku;
• Drejtorisë së Policisë së Shtetit, Departamentit të Policisë Kriminale, e cila me shkresën Nr. 13255/1 Prot., datë 27.08.2019 informon nëse ky shtetas ka qenë ose jo i ndaluar apo arrestuar nga strukturat e Policisë së Shtetit.
• Departamentit të Kufirit dhe Emigracionit pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, i cili me shkresën Nr. 3269/1 Prot., datë 29.08.2019, informon në lidhje me të dhënat e sistemit TIMS për shtetasit Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto.
• 23 Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, nëse subjekti ka patur kallëzime/referime/procedime penale, ka qenë ose jo nën hetim, është caktuar ose jo ndonjë masë sigurimi, është dënuar ose jo, me vendim jopërfundimtar apo të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale dhe deri tani janë administruar disa prej përgjigjeve.
• Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar (INTERPOL), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit nëse subjekti figuron i ndaluar/arrestuar për veprimtari kriminale;
• I është kërkuar shtetasit Agim Kajmaku të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore dhe këtij të fundit të përcjellë gjurmët daktiloskopike pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe ende nuk është administruar një përgjigje në lidhje me këtë kërkesë. Sipas verifikimeve në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se shërbimi postar (Drejtoria e Përgjithshme e Postave) ka ngatërruar adresën e subjektit Agim Kajmaku dhe ende nuk e ka dorëzuar shkresën.
Më datë 28.08.2019 janë administruar të dhënat biometrike të shtetasit Agim Kajmaku, nga institucioni që ruan dhe administron të dhënat biometrike të shtetasve të Republikës së Shqipërisë, ALEAT.
Më datë 29.08.2019 gjurmët daktiloskopike i janë përcjellë për krahasim (në vijim të kërkesës së parë) Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar (INTERPOL), pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Më datë 30.08.2019 i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, për të komunikuar me autoritetet Greke të drejtësisë, me qëllim konfirmimin e autenticitetit të dokumentit (Vendim i Prokurorisë së Apelit Janinë), administrimin e çdo vendimi penal të marrë ndaj subjektit (vendim masë sigurie, dënimi) si dhe krahasimi i gjurmëve daktiloskopike të subjektit. Bashkëlidhur është dërguar kopja e vendimit të Prokurorisë së Janinës dhe gjurmët daktiloskopike të shtetasit Agim Kajmaku.
Rasti është vlerësuar me përparësi nga ana jonë dhe të gjitha veprimet e mundshme janë kryer brenda një afati prej 7 (shtatë) ditësh nga momenti i paraqitjes së kërkesës për verifikim.
Jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet greke të drejtësisë dhe atyre policore, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi.
Dokumentet e Kajmakut te publikuara nga PD-ja