Rama ndien frikën e disfatës, shfryn me deputetët e PS-së dhe i kërcënon me përjashtim

Hënë, 09 September 2019 21:33

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, ka zgjedhur ditën e sotme, kur Presidenti Ilir Meta përballej me Komisionin Hetimor parlamentar për shkarkimin e tij, që të bëjë disa paralajmërime të qarta në drejtim të deputetëve socialist.

Me tone të forta, Rama ka paralajmëruar se me sjelljen e deritanishme, socialistët do të humbasin pushtetin.

Por nuk u ndal me kaq, pasi ka bërë një tjetër paralajmërim në drejtim të ligjvënësve që nuk takohen me qytetarët dhe organizatat socialiste, po vëmendjen e kanë te emërimi i drejtorëve.

“Pjesa më e madhe është e shëndoshë, por sigurisht që kemi edhe një pjesë të vogël që nuk e dinë ku janë dhe çfarë po ndodh, nuk dinë zonat, ku i kanë njerëzit. Nuk kanë një inventar të burimeve njerëzore, por merren vetëm me emërime drejtorësh. Fitorja nuk na ka ardhur nga drejtorët.

Kështu siç po veproni ju, mos kini merak humbjen e keni të sigurt, zgjedhjet nuk fitohen, zgjedhjet i humb njëri dhe i fiton tjetri. Pastaj unë nuk do ju pres as juve, as ndonjë tjetër. Këtë quajeni si kërkesë për dorëheqje, nëse nuk i ktheheni partisë dhe besimit të njerëzve. Duhet t’i ktheni partisë atë që i keni marrë”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri nuk ka përmendur emra konkret deputetësh, që duket se i kanë prishur qetësinë nga brenda partisë që drejton prej vitit 2005.

Megjithatë ai duket se ka identifikuar një “grup armiqësor” ku në një nga mbledhjet e ardhshme nuk është çudi të drejtojë gishtin ndaj Ditmir Bushatit apo Niko Peleshit, deputetë që nuk kanë nguruar që të shprehin kritika, të thonë hapur se bashkëjetesa me të keqen po gërryen PS-në, apo që duhet një reformim i sistemit.

Veçanërisht kritikat në drejtim të Ramës janë ashpërsuar kur edhe me kandidatët që hyri në votimet e 30 qershorit, përveçse vuri veton në caktimin e tyre, rezultojnë se janë individë me probleme ligjore, që parashikohen në ligjin e dekriminalizimit dhe rrezikojnë humbjen e mandatit.

Modifikuar më Hënë, 09 September 2019 22:01
Login to post comments