Kryemadhi takon ambasadorin gjerman: Kriza politike duhet zgjidhur sa më parë

E Enjte, 12 September 2019 19:14

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim Ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf. Kryetarja e LSI i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Zingraf, të cilit i shprehu falenderimet dhe ndenjat e konsideratës më të lartë për mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë për afrimin e rajonit me Bashkimin Europian, e në veçanti për mbështetjen e Shqipërisë përmes investimeve nga Banka Gjermane për Zhvillim, kfW dhe projekteve zhvilluese nga GTZ.

Gjatë takimit Kryetarja e LSI ka nënvizuar nevojën e Shqipërisë për të tejkaluar sa më parë krizën aktuale, për t’i hapur vendit rrugën drejt Bashkimit Europian. “Të majtë e të djathtë duan që Shqipëria të të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Integrimi në BE është i rëndësishëm për familjet shqiptare, pasi do të shtojë mundësitë për punësim të mirëpaguar, do të rrisë cilësinë në arsimim dhe shëndetësi, e do të përmirësojë standartet e jetesës në Shqipëri. LSI ka objektiv të saj Integrimin e Shqipërisë në BE”- tha Kryetarja e LSI.

Kryetarja e LSI vlerësoi kontributin e qeverisë Gjermane për hartimin e Reformës në Drejtësi.

Kryemadhi shprehu gjithashtu bindjen e saj për nevojën e zbatimit të reformës në drejtësi ashtu siç është shkruar në Kushtetutë. “Pa sistem drejtësie të pavarur, nuk ka investime të huaja. Pa investime të huaja, nuk ka punësim. Pa mundësi punësimi, nuk ka të ardhme për rininë e cila po largohet nga vendi duke emigruar dita-ditës. Ndaj LSI kërkon që Reforma në Drejtësi të vazhdojë përpara me integritet ashtu siç është shkruar në Kushtetutë, e cila është miratuar unanimisht nga 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend”,- tha Monika Kryemadhi.

 
Login to post comments