“BE-së t’i dërgohet raporti i OSBE për turpin e 30 qershorit dhe dekretin e Presidentit”- Zëdhënësi i Metës reagon pas deklaratave të Koçijançiç

E Enjte, 12 September 2019 19:30

Pas një interviste të zëdhënëses së përfaqësueses së lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Maja Koçijançiç, zëdhënësi i Presidentit, Ilir Meta, Tedi Blushi shkruan se duhet t’i dërgohet raporti final i OSBE-së për “turpin e 30 qershorit”, siç thotë ai dhe për dekretin e Presidentit Meta.

bushsis

Blushi paralajmëron edhe një herë se që nga e hëna, do të bëhet publik raporti i Presidencës për Komisionin e Venecias dhe për të gjithë institucionet demokratike.

Reagimi i plotë i Blushit:

“Të dashur kolegë të Fax News,

Ju lutem dërgojini znj.Koçijançiç raportin final të misionit të OSBE/ODIHR për turpin e 30 qershorit, ku flitet dhe për dekretin e Presidentit Meta.

Po kështu tregojini që Presidenti Meta është shumë i kënaqur që Kuvendi ka ftuar Komisionin e Venecias të vlerësojë nëse Presidenti Meta ka respektuar apo jo Kushtetutën.

Nga e hëna do bëhet publik raporti i Presidencës për Komisionin e Venecias dhe për të gjithë institucionet demokratike, se si Presidenti Meta ka mbrojtur në mënyrën më transparente, jo vetëm Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por edhe detyrimet e vendit ndaj Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe po kështu detyrimet ligjore që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”.

Reagimi i tij vjen pas intervistës së zonjës Koçijançiç për Fax News, e cila nuk preferoi të jepte një koment në lidhje me komisionin parlamentar i ngritur nga mazhoranca socialiste për të hetuar Presidentin Meta pas anulimit të dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit.

Ajo apelon që partitë politike duhet të përfshihen në dialog të mirëfilltë

“BE-ja është e vetëdijshme që u krijua një komitet hetimor për këtë çështje dhe se u mbajt seanca dëgjimore që përfshin Presidentin. Çështja u dërgua gjithashtu për shqyrtim në Komisionin e Venecias, i cili do të shqyrtojë aspektet ligjore. Hetimi dhe rishikimi i jashtëm nga Komisioni i Venecias janë duke vazhduar. Prandaj BE nuk ka ndonjë koment.

Partitë politike duhet të përfshihen në një dialog të mirëfilltë, në një frymë të mirëkuptimit të ndërsjellë, pa parakushte, dhe të tregojnë përkushtim të vendosur për të gjetur konsensus për një rrugë përpara.

Këshilli ka identifikuar qartë çështjet që dëshiron të shohë përpjekje të mëtutjeshme, që është ajo që Shqipëria duhet të vazhdojë të japë në funksion të diskutimit të ardhshëm nga Shtetet Anëtare të BE-së në Këshillin e Çshtjeve të Përgjithshme më 15 tetor”, tha Kocijancic

Login to post comments