I ftuar në “Opinion” ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur për zërat se opozita dhe Rama po afrohen në një marrëveshje. Por Berisha tha se kjo nuk mund të ndodhë pasi nëse ndodh do të thotë humbja e shpresës te shqiptarët për të rikthyer demokracinë.
Pjesë nga intervista:
Blendi Fevziu- A ka mundësi për një koalicion PS-PD. Ka fjalë që ka tentativa. A e shikoni të mundur?
Berisha: Në të gjithë vlerësimin tim një koalicion i tillë do të ishte asgjë tjetër përveçse goditja e mëshirës për sistemin shqiptar, për ta varrosur përfundimisht atë që deri dje quhej demokraci dhe që sot është fund e krye narkoshtet. Një koalicion i tillë do të shuante çdo shpresë të shqiptarëve për të rimarrë rrugën e standardeve dhe demokracisë. Standardet kanë ikur. Ka edhe më keq. Që nëqoftëse do të bëhej një koalicion do të çelikosej ky narkoshtet. Opozita nuk mund të bëjë asnjë hap të vetëm për koalicion, ajo ka vetëm një rrugë, largimin e rilindjes. Sot për fat të keq mediat merren më shumë me deklaratat politike por ju garantoj se gjendja ekonomike po shkon gjithmonë e më keq.