Gjatë 2-3 ditëve të fundit, veçanërisht në mediat pranë Rilindjes ka pasur një diversion të madh, me “rrjedhje” informacionesh, sipas të cilave është gati një marrëveshje mes Ramës dhe Bashës, e cila do të finalizohet këto ditë.
Mbrëmë në emisionin, “Opinion”, ish-kryeministri Sali Berisha u pozicionua hapur ndaj një zgjidhje të tillë të krizës, duke deklaruar se nuk mund të bëhet më pakt më një njeri, i cili u provua njëherë në vitin 2017 dhe tashmë qëndron në pushtet me vota të vjedhura, i rrënuar, i mbaruar, i kalbur dhe i zhytur në krim e korrupsion.
Por paralelisht me emisionin e Blendi Fevziut, në Top Chanel dhe pikërisht në emisionin “Open” të Eni Vasilit, në telefonin e kësaj të fundit mbërriti një mesazh misterioz të cilin drejtuesja e lexoi plot entuziazëm. Sipas këtij “burimi të besueshëm” që sipas gazetares është një politikan shumë i njohur, marrëveshja Rama-Basha është në rrugë të mbarë dhe do të finalizohet së shpejti. Anonimi i Eni Vasilit, që me shumë mundësi e shihte emisionin në zyrën e Endri Fugës, madje dha edhe detaje dhe ndau postet e pushtetit tranzitor.
Sipas mesazh-dërguesit, Rama dhe Basha, do të bëjnë një marrëveshje të re si ajo e vitit 2017 dhe palët kanë rënë dakord paraprakisht, për një sistem të ri mazhoritar të pastër. Po ashtu `konfirmohej`, se zgjedhjet do të mbahen në pranverën e vitit 2020 dhe Lulzim Basha do të bëhet kryetar i Parlamentit, kurse gjysma e qeverisë traniitore do ti përkasë opozitës. “Politikani i lartë” të cilit Eni Vasili ja mbajti emrin sekret me këmbëngulje shkruante gjithashtu, se qeverinë që do të përgatiste zgjedhjet në pranverën e vitit tjetër do ta drejtonte, Bashkim Fino, kurse Lulzim Basha do të zërë vendin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit.
Ky mesazh me detaje për “marrëveshjen” e re, Rama-Basha, i amplifikuar live për publikun nga Eni Vasili në një Televizion Kombëtarë, ishte preludi i një diversioni dhe përpunimi të opinionit nga të gjitha mediat e tjera pranë Rilndjes.
Kjo ndodhi edhe pse paraditen e djeshme, Lulzim Basha, doli në konferencë për media dhe më i vendosur se kurrë paralajmëroi ashpër kryeministrin Rama; të gjithë ministrat e zyrtarët e administratës që firmosin e përpilojnë dokumente; deputetët që ngrenë dorën si skllevër për koncesionet; “biznesmenët” e implikuar, e këdo tjetër të përfshirë në grabitjen gjigante që po i bëhet shqiptarëve.
Mesazhet e Bashës nuk linin asnjë fije dileme për një “Pazar të dytë”, si ai i post Çadrës në vitin 2017, të cilin Rama e përdori në mënyrën më malinje. Për të vjedhur zgjedhjet e atij viti dhe më pas, për të vazhduar me vrull jo vetëm planin për kapjen e çdo institucioni, por edhe shumëfishimin e grabitjes së financave dhe të pasurive publike, së bashku me një grusht `biznesmenësh` të oborrit.
Ndërkohë që në studion e “Open” i jepej zë me të madhe kësaj “marrëveshje”, (E cila ngjan `copy paste` me atë të parën që dihet si e menaxhoi dhe përdori Rama), te Fevziu, Berisha- duke folur gjithmonë në emrin e tij personal- vazhdonte ta demontonte këtë diversion të Ramës.
Pyetja që ju shtrua për sondazh shqiptarëve që në nisje të “Opinion”, këtë të enjte ishte: A duhet të ketë një marrëveshje PD-PS?
Në fund të emisionit, edhe vetë Fevziu i habitur lexoi votën e shqiptarëve, për një marrëveshje të re Basha-Rama. Sipas rezultatit të këtij sondazhi online, doli se 74 % e shqiptarëve nuk duan më një marrëveshje mes Bashës dhe Ramës.
Duket se pas asaj që bëri me marrëveshjen e post Çadrës, Rama, është bërë i pabesueshëm jo vetëm për demokratët dhe opozitarët në përgjithësi, por edhe për shumicën e shqiptarëve të cilët tashmë kanë kuptuar, se “timoni” që kërkoi dhe mori me të gjitha mënyrat 2 vite më parë ishte thjesht një mjet, për të rrjepur së bashku me një grusht të ashtuquajturish `biznesmenë`, edhe lëkurët e fundit që u kanë mbetur qytetarëve.
Prandaj në këtë situatë vetë kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërhyri mbrëmë natën vonë me një deklaratë në rrjetet sociale
“Sot kur Rama me një grusht oligarkësh dhe pronarë mediash u vjedh shqiptarëve 370 milionë euro, sulen hyzmeqarët mediatikë dhe politikë me gënjeshtra dhe sajesa që të heqin vëmendjen e njerëzve dhe të mbulojnë vjedhjen. Sepse ata ndajnë bashkë me Hajdutin pasuritë e shqiptarëve”, sqaronte i vendosur Basha në Twitter, arsyet e këtij diversion për një marrëveshje apo më saktë, Pazar, të mundshëm mes tij dhe Edi Ramës, i cili e ka të shkrua në ballë se është fundosur nën peshën e ngrehinës së narko, krim, oligark, korrupsion-shtetit që ndërtoi gjatë këtyre 6 viteve!
Dhe e gjithë kjo strategji, përpara takimit të Ramës me kancelaren Angela Merkel, për të treguar se ai e ka gjithmonë dorën të shtrirë për opozitën, ndërkohë që të gjithë brenda dhe jashtë vendit e dinë të vërtetën.