Kevin Spacey këngon rrugëve, kurse Tariq Ramadan ia bën avokatinë vetes në prime-time-t e televizioneve. Shfaqemi garantistë vetëm me “intelektualin” islamik
Çështja e trajtimit të njëjtë të të akuzuarve nuk është vetëm një çështje shqiptare. Standardi i dyfishtë po spikat me të madhe edhe në Perëndim dhe për njërin nga protagonistët kryesorë të Evropës islamike, për filozofin Tariq Ramadan, nipin e themeluesit të Lëvizjes “Vëllazëria Myslimane”. Kevin Spacey dhe disa të tjerë të Lëvizjes “MeToo” janë përjashtuar nga industria e kinemasë, edhe pse kanë dalë të pafajshëm nga gjykata, bile refuzohen edhe të japin intervista. Por nuk po ruhet i njëjti standard edhe për Tariq Ramadanin, i cili edhe pse akuzohet si përdhunues serial, po shfaqet nëpër spektakle televizive, duke shpallur se s’po gjykohet ai por po gjykohet islami.
Një shkrim i shkëlqyer i Gulio Meotti-it tek Il Foglio, tregon se si Perëndimi po ia fal mëkatet “intelektualit” mysliman, vetëm se është i tillë, ndërkohë që po linçon Spacey-n dhe të tjerët, vetëm e vetëm që t’i përshtatet modës së MeToo. Një pyetje lind për lexuesit shqiptarë, kur standardi i dyfishtë është kaq i përhapur në Perëndim, çfarë standardi mund të presim nga një drejtësi që rrjedh prej dystandardit të vetingut?
Ilir Nikolla
Nga Gulio Meotti
(Il Foglio)
Muajin e fundit, Kevin Spacey u rishfaq në publik, fillimisht në pallatin “Massimo” në Romë, me rastin e një mbrëmjeje poetike, kurse herën e dytë, para disa ditësh, në Sevilje. U pikas teksa këndonte “La bamba” rrugëve. Aktori i njohur, njëri prej shënjestrave kryesore të lëvizjes “MeToo” konsiderohet virtualisht si i vdekur për industrinë e televizionit dhe të kinemasë, paçka se akuzat ndaj tij për ngacmim seksual janë rrëzuar nga gjykata.
Kemi edhe rastin e Leon Wiesltier, një botues i fuqishëm letërsie i New Republic, fajtor për sjellje të papërshtatshme në redaksi. Tashmë, 3 vjet prej akuzave, Wieseltier ende është një “jo njeri”. Ai u pikas së fundmi mes publikut gjatë prezantimit të një libri në Uashington.
Dhe kemi së fundmi Tariq Ramadanin.
Kujtoj se akuzat ndaj tij as që krahasohen me ato të “mëkatarëve” të “MeToo”. Sipas akuzave, Ramadani duhet të jetë fajtor për përdhunimin e 6 grave, nga Henda Ayari e “Christelle”, tek Mounia Rabouuj e deri së fundmi për një tjetër grua, e cila u shfaq edhe në kopertinën e “Libération”. Ramadani po u përgjigjet akuzave, duke dhënë intervistë për Jean-Jacques Bourdin-in e Bfm Tv, ku u vetëkrahasua me Alfred Dreyfus, kapitenin alsazian me origjinë hebraike, i cili u akuzua padrejtësisht se kishte tradhtuar atdheun, në favor të Gjermanisë. “Askush s’mund të anashkalojë racizmin anti-mysliman që po instalohet në vend, duket se po riprodhohet rasti Dreyfus, dje për hebrenjtë e sot për myslimanët”, tha Ramadan në atë intervistë.
Për t’u mbrojtur nga akuzat, Ramadan u është drejtuar edhe librave, ai tashmë ka publikuar “Devoir de vérité”. Gjykata e dha lejen e publikimit, megjithë kërkesat e akuzatoreve për ta ndaluar botimin. Tek Le Parisien, zëdhënësja e republikanëve Lydia Guirous shkruan: “Ramadan po i fryn zjarrit, sepse e di se ka ende një ndikim të rëndësishëm tek të rinjtë që jetojnë në periferi të shoqërisë e të vlerave tona dhe që janë të gatshëm të pranojnë çfarëdolloj teorie komploti. Dëshira e tij për të qenë lideri i pjesës më të radikalizuar të Francës është më e fortë se kurrë. Data e publikimit të librit, me 11 shtator, nuk është e rastësishme. Tariq Ramadan po kërkon që procesi të mos jetë vetëm procesi i Tariq Ramadanit, i akuzuar për përdhunimin e 6 grave, por ai të shndërrohet në mjetin e komunikimit të një bashkësie kundër sistemit juridik e kundër Francës. Dhe rreziku për shoqërinë tonë është që kjo tentativë të ketë sukses...”.
Çështja nuk është e drejta e Ramadanit për t’u mbrojtur, një e drejtë që vlen për të gjithë në një shoqëri garantiste dhe që nuk bazohet tek sheriati (siç do t’i pëlqente të akuzuarit). Ramadani është duke u mbrojtur, dhe bile po mbrohet mirë, me libra, konferenca, prime-time televizive. Çështja është tek dopio standardi. Vdekje virtuale për të përjashtuarit perëndimorë të MeToo, daulle e bori mediatike për nipin e themeluesit të Vëllazërisë Myslimane, kalorësin e borgjezisë që predikon një “islam të moderuar”, i përtypshëm për kancelaritë perëndimore.
Sekreti pra qendron tek viktimizmi. Askush s’po i beson më mashkullit të bardhë perëndimor. Është shumë më tepër joshës shembulli i intelektualit islamik, përfaqësues i periferisë dhe i minorancave. Bile senatorja socialiste Samia Ghali, në rastin e Tariq Ramadanit është rreshtuar, duke thënë se është “myslimani” dhe jo “njeriu” që po gjykohet nga drejtësia. Me fjalë të tjera, njeriu edhe mund të jetë fajtor, myslimani jo.