Rrjeti i Redaksive në Gjermani, që përfshin me dhjetëra gazeta në vend, ka publikuar një shkrim ku thuhet se Shqipërisë do i vendosen kushte të forta. “CDU/CSU dhe SPD duan t’i vendosin Shqipërisë shumë kushte për negociatat e pranimit në BE. Pengesat janë shumë të larta. Fillimi i negociatave mund të vonojë për vite të tëra në vazhdim”, theksohet në shkrim
Nga Damir Fras, RND
Koalicioni i Madh në Berlin dëshiron të parandalojë nisjen e shpejtë të negociatave të pranimit në BE me Shqipërinë duke vendosur pengesa të larta. Në fund të shtatorit, grupet parlamentare të CDU/CSU dhe SPD do bien dakord në thelb se duhet të ketë negociata të pranimit mes BE-së dhe vendit të Europës Juglindore. Sidoqoftë, ata do të vendosin kushte që ka të ngjarë të vonojnë ndjeshëm fillimin e vërtetë të negociatave.
Kjo thuhet në projekt-propozimet që do të miratohen në Bundestag, që janë parë nga Rrjeti i Redaksive në Gjermani.
Përpara të ashtuquajturës konferencë e parë e pranimit, siç njihet ndryshe edhe nisja e negociatave në zhargonin e BE-së, Shqipëria duhet të reformojë ligjin zgjedhor dhe të vendosë në kapacitet aftësinë për punë të sistemit gjyqësor. Përpara se të hapen kapitujt e parë të bisedimeve, Shqipëria ka një numër të tërë kushtesh për të përmbushur.
Lidhjet mes politikës dhe mafias
Këtu përfshihet “përparimi i fortë në krijimin e një bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet”. Gjithashtu duhet të nisë procedimi penal kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë aktualisht në shqyrtim për lidhje të mundshme me mafian.
Pengesat mund të jenë kaq të larta, sa faktikisht negociatat e pranimit mund të fillojnë- nëse do fillojnë- brenda disa vitesh. Shqipëria ka vite që po përjeton kriza të rënda politike të brendshme. Mbi të gjitha, lidhjet mes politikës, gjyqësorit dhe mafias vazhdojnë të shkaktojnë përplasje. Nuk ka gjasa që vendi të jetë në gjendje t’i plotësojë kushtet shpejt, veçanërisht për shkak se kushtet janë relativisht të përgjithshme. Numri i kërkesave shqiptare për azil në BE është rritur së fundmi.
Vendimi në samitin e BE në tetor
Në fund të shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse kancelarja Angela Merkel mund të lejohet të pranojë nisjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë në samitin e BE në Bruksel në mes të tetorit. Holanda dhe Franca janë kundër fillimit të negociatave. Në të kundërt, Komisioni i BE rekomandoi fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë që në qershor të këtij viti. Sidoqoftë, në dallim nga vendi i saj fqinj, Maqedonia e Veriut është pothuajse e sigurt në lidhje me angazhimin për negociatat e pranimit.
Tani, ky formulim nga grupet parlamentare qeverisëse gjermane mund të shërbejë si një plan për vendimin e samitit të BE për Shqipërinë, që do pasohet gjithashtu nga kundërshtarët e pranimit: BE në thelb do të deklarojë gatishmërinë për të negociuar me Shqipërinë për pranimin. Por në fund fare, ato nuk do të nisin për vite të tëra.