Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka uruar sot të gjithë nxënësit me rastin e ditës së parë të shkollës.
“Një urim të veçantë për të gjithë nxënësit, që ulen sot në bankat e shkollës. Për ata të shkëlqyerit, që na kanë nderuar me rezultatet e tyre anembanë botës. Për ata, që me sakrificat e mëdha të prindërve të tyre përpiqen çdo ditë të jenë më të mirët. Për ata nxënës, që sfidojnë varfërinë, mjerimin dhe ndjekin shkollën në kushte të vështira. Për të gjithë ata fëmijë që, çdo mëngjes marrin bekimin dhe urimin e prindërve për të ecur në rrugën e dijes. Qoftë një vit i mbarë për të gjithë nxënësit në mbarë Shqipërinë!
Ky urim është bekimi im si nënë për ju. Ndërsa si politikane më duhet të reflektoj dhe punoj më shumë, që arsimi në Shqipëri të jetë më cilësor, që shkollat, klasat dhe mësuesit të jenë në nivelet që fëmijët meritojnë. Që askush nga politika të mos tallet dhe ta përdorë arsimin falas si mjet të propagandës, por ta bëjë atë të prekshëm për të gjithë familjet shqiptare nga Vermoshi në Konispol.
Ky është dhe do të mbetet misioni im dhe i LSI. Ndaj në këtë ditë, uroj që dhe premtimet tona ndaj jush të dashur nxënës të jenë të qarta dhe të sinqerta, të thjeshta dhe plot me energji. Siç jeni dhe ju, brezi që padyshim do ndërtoni një Shqipëri më të mirë!”, shkruan Kryemadhi në Facebook.