“Sot duhet të reflektojmë për tkurrjen dramatike të popullsisë, që po ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sektorin e arsimit”.
Ky është mesazhi i presidentit Ilir Meta, një ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor, duke marrë shkas nga një kronikë e Zërit të Amerikës. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Meta ka bërë thirrje politikës që t’i jepet fund antagonizmit të paprinciptë politik. Mes të tjerash Meta shton se: “Zgjidhja nuk është largimi por NDRYSHIMI”.
Postimi i plotë
Të dashur miq,
Nisja e vitit të ri shkollor është një ngjarje e gëzueshme për shoqërinë tonë. Shumë urime pati dje. Por nga sot duhet të reflektojmë për tkurrjen dramatike të popullsisë, që po ndikon drejtpërsëdrejti edhe në sektorin e arsimit.
Çdo vit që kalon shkollat po përballen me sfidën e uljes së numrit të nxënësve.
Është koha të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë, për t’i dhënë fund antagonizmit të paprinciptë politik që ka sjellë një erozion të tmerrshëm social, jo vetëm vlerash dhe besimi.
Ju ftoj të ndiqni këtë kronikë për të kuptuar më qartë se ç’po ndodh në Shqipëri dhe se kujt i intereson një Shqipëri pa shqiptarë.
Zgjidhja nuk është largimi por NDRYSHIMI!