Kryeministri Edi Rama ishte pak ditë më parë në Berlin ku u prit nga kancelarja Angela Merkel. Kreu i qeverisë e cilësoi vizitën të suksesshme edhe pse kancelarja nuk dha asnjë premtim për negociatat, por tha vetëm se “do t’a vendos Bundestagu në funt të shatorit”.
I vetmi lajm që u prodhua nga një vizitë e tillë ishin fotot e Edi Ramës teksa i jepte Angela Merkel librin me piktura të tij.
Ndërkohë sot në Berlin Angela Merkel ka pritur kryeministren e Serbisë, homologen e Edi Ramës, Ana Branabiç. Ajo që bie në sy në këtë takim është se kryeministrja serbe është pritur me ceremonial zyrtar dhe me roje nderi në Bundestag, gjë që mungoi për Edi Ramën.
Por protokolli është pjesa më pak e dukshme e dy vizitave. Kontrasti më i madh mes vizitës së Ramës dhe Branabiç është temat për të cilat është folur. Kryeministrja serbe ka diskutuar me kancelaren Merkel për ekonominë dhe rritjen e pranisë së biznesit gjermane në Serbi. Gjithashtu është folur për çështje konkrete bashkëpunimi.
Ndërkohë që Edi Ramës, veç fotove me librin e tij, nga Merkel i janë përsëritur edhe njëherë kushtet që lidhen me luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe zgjidhjen e një krizës së rëndë politike.
Edhe në postimin që Merkel ka bërë për kryeministren serbe flitet për ekonominë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Ndërsa për Edi Ramën, vlerësimi i Merkelit ishte se është një artist, njëlloj si të flitej për një takim me një piktor ekstravagant dhe jo kryeministrin e një vendi me shumë probleme.