Nga Jamarbër Malltezi.
Të nderuar kolegë të Senatit të Universitetit të Tiranës!
Uroj dhe shpresoj që sot t’i dilni Zot, autonomisë universitare, të respektoni dhe mbështesni deklaratën e FSHN dhe të reagoni të fortë dhe të qartë për ruajtjen e integritetit territorial të UT.
Mund të thërrisni një protestë sa më të gjërë në mbrojtje të Kopshtit Botanik, kësaj vlere unikale të vendit.
Mund të thërrisni të protestojnë figurat e shquara, profesorë të nderuar dhe staf akademik që kanë ngritur një monument të dijes siç është Kopshti Botanik.
Të ndjerit Mustafa Demiri po i lëvizin kockat në varr nga lajmi që Kopshti Botanik që ai ndërtoi me shumë mund para 50 vitesh, tani do t’i vihet kazma për pallate.
Të ndjerit Lekë Gjiknuri po i kërkëllijnë kockat në varr pasi trashëgimia e tij po injorohet nga pinjollët e vet, që e kanë mendjen të përlajnë miliona euro me tendera dhe në vend të Kopshtit Botanik çmojnë më shumë të ruajnë nga burgu, djemtë problematikë.
Në 1993, shumë pedagogë dhe studentë nga të gjitha kahet politike, protestuan për mbrojtjen e Kopshtit nga tendencat për ta përlarë tokën për pallate dhe arritën të marrin një fitore të rëndësishme me qeverinë e PD: Kopshti Botanik u shpall Zonë e Rëndësisë së Veçantë.
Të gjithë që kemi protestuar në 1993-in na takon të protestojmë sot për ta mbrojtur tashmë jo nga 3-4 privatë, por nga Rama-Veliaj me oligarkët e tyre.
Ftoni sot të protestojë Profesoresha e nderuar Liri Dingu, përgjegjësen e palodhur dhe të përkushtuar të Kopshtit që të ngrejë zërin dhe të detyrojë Senatin e UT të reflektojë. Profesoreshë Dingu u përball me dinjitet me raste të rënda dhune në 1993 dhe nuk u përkul.
Ftoni profesorët e nderuar të botanikës, përfshirë Leonard Topuzin, Petrit Hodon, Murat Xhulajn, Aleko Mihon dhe qindra pedagogë dhe studentë t’u tregojnë vlerat e mëdha të atij laboratori natyror të ekologjisë dhe paqes.
Duhet të ngremë zërin dhe protestojmë ndaj kësaj qeverisjeje hajdutësh!
Senati akademik i UT mund të ngrihet në lartësinë e kohës duke shpallur kundërshtimin ndaj vjedhjes dhe kërkojë respektimin e plotë të ligjit mbi autonominë universitare, përfshi integritetin territorial të Universitetit.
Përndryshe, autonomia universitare mbetet letër e pavlerë.
Historia do t’i mbulojë me turp ata që do të fshihen dhe nënshtrohen ndaj qeverisjes së zuzarëve dhe oligarkëve! Historia do të shkruajë se si i biri shiti përpjekjet e të atit, se si ajo që u mbrojt në 1993 dhe 1997 nga banditët ordinerë, u shkatërrua nga banditët në pushtet në 2019.
Koha është e maskarenjve, por Kopshti Botanik është i shqiptarëve!