Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat nga selia e PD lidhur me rastin "Tahiri".
"Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg, sepse shteti i Ramës ka 2 standarde: Mbron bashkëpunëtorët e tij, ndëshkon njerëzit e zakonshëm." . Ky ishte thelbi i deklaratës që dha sot, Partia Demokratike, nëpërmjet ish-deputetit Enkelejt Alibeaj.
"Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg, - vërejti Alibeaj. - Njeriu që zbatoi planin e Edi Ramës për të kanabizuar Shqipërinë në funksion të blerjes së pushtetit me paratë e drogës, nuk ndëshkohet nga drejtësia, sepse me Edi Ramën në krye të qeverisë, drejtësia ka dy standarde: Saimir Tahiri në liri, duke shijuar pushtetin, paratë dhe luksin, ndërsa shqiptarët e zakonshëm në burg, ku humbin jetën për asgjë.
Estref Halili, një 22 vjeçar nga Kolonja e Lushnjës u burgos për një cigare hashash ditën e Krishtlindjes dhe vrau veten në qelinë e burgut, ndërsa Saimir Tahiri nuk ka për të bërë as edhe një ditë burg, sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës.
Qamil Zela kryefamiljari 52 vjeçar që mezi ushqente familjen e tij, vrau veten në burg se nuk kishte 35 mijë lekë për të paguar energjinë elektrike.
17 kuksianë u mbajtën në burg më shumë se 1 vit, sepse protestuan kundër korrupsionit të Edi Ramës, që u vuri traun me 5 euro për të shkuar në shtëpi.
Ky është shteti me dy standarde që ka ndërtuar Edi Rama. Liri për bashkëpunëtorët e tij në krim, burg për shqiptarët e zakonshëm dhe të pambrojtur.
Me Edi Ramën nuk ka drejtësi të barabartë për të gjithë. Ai do të vazhdojë ta vendosë drejtësinë në shërbim të politikanëve të korruptuar e të lidhur me krimin, si Saimir Tahiri, në shërbim të trafikantëve të drogës dhe krimit të organizuar, që i siguron mbajtjen e pushtetit me zgjedhje të vjedhura.
Shërbimi më i madh për drejtësinë dhe për vendin është ndarja e politikës nga krimi.
Aty është burimi i të gjitha të këqijave. Pa prerë lidhjet e politikës me krimin, në Shqipëri nuk ka për të patur drejtësi të vërtetë, më të pamundurit do të vuajnë burgjeve, ndërsa të pushtetshmit si Edi Rama dhe Saimir Tahiri, do të vazhdojnë të jetojnë në luks pa u ndëshkuar!