Dalldia që ka kapur politikanët e qeverisë dhe gjithë levave të saj, është sa qesharake aq edhe e neveritshme. Më shumë vlen propaganda dhe hedhja hi syve e shqiptarëve sesa ndihma reale. Edhe pse tmerri e paniku është i madh, dëmet apo pasojat nuk ishin edhe aq sa për t’u hallakatur qeveria, a thua se po bën namin! Më i neveritshëm në propagandën e tij është Lali Eri, të cilit nuk ia ndien fare për hallet e qytetarëve, panikun apo tmerrin, por vijon axhendën e tij, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nuk e anuloi dot “Ditën pa makina”, kur qyteti u mbush aq shumë me makina më keq se në një ditë normale, e trafiku u rëndua shumë prej aktivitetit të tij, plus halleve e panikut të qytetarëve nga tërmeti. Dhe këtë tha se po e bënte “për të mirën e qytetarëve, që t’u hiqte stresin”. Po t’i shikosh fotot duket i motivuar, i përlotur dhe u jep zemër edhe fëmijëve, duke kërkuar më shuëm vëemdneje të prindërve ndaj tyre. Por harron faktin se ai do të jetë gjithmonë i akuzuar për një vepër të rëndë penale, si “vrasësi” i Ardit Gjoklajt dhe kjo nuk harrohet, sado propagandë e baltë të hedhë ai.