Trafiku Shqipëri-Turqi, mediet greke: Gomonet u mbushën me 2.5 tonë drogë në Vlorë, 1 kg do shitej 3-4 mijë euro

E Enjte, 03 October 2019 10:50

Autoritetet greke kanë zbardhur detaje të reja mbi kapjen e dy gomoneve të ngarkuara me drogë në Shqipëri, që kishin si destinacion Turqinë. Media greke “The Toc” shkruan sot se dy gomonet ishin ngarkuar në Vlorë me 2.5 tonë marijuanë, të cilat do të dërgoheshin në Aivalin të Turqisë, për t’u shkëmbyer me 150 kg heroinë.

Më tej, në shkrimin e medies greke thuhet se 1.3 tonë lëndë narkotike janë lënë në brigjet turke, ndërsa 1.2 tonë janë kapur nga policia greke. Ndërkohë, heroina dyshohet se është hedhur në det në një thellësi 300 metra gjatë ndjekjes së trafikantëve nga policia, ku pati dhe shkëmbim zjarri.

“The Toc” shkruan se vlera e marijuanës në Turqi ishte 3000-4000 euro për kg, ndërsa në Greqi 1000 euro. Në gomonen e parë u arrestuan tre persona, dy shqiptarë dhe një italian, pas një ndjekjeje spektakolare nga deti dhe ajri nga ana e autoriteteve greke.

Ndërsa në gomonen e dytë u ndalua një trafikant shqiptar, i cili raportohet se është hequr si klandestin, duke thënë se kishte ardhur nga Turqia me një gomone bashkë me disa të tjerë. BW

Login to post comments