Kryeministri vendit Edi Rama është duke zhvilluar një takim me sipërmarrësit e mëdhenj të Shqipërisë, të cilëve u ka kërkuar të bëhen pjesë e një mekanizimi për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të varfër të Shqipërisë.
Rama u shpreh se fatkeqësisht njerëzit e pasur janë vënë në qendër të shënjestrave politike por se ata mund të bëjnë shumë, duke dhuruar më tepër për shtresat më të varfëra të shoqërisë.
“Dua të prezantoj para jush krijimin e një fondi për Shqipërinë solidare, për të adresuar bashkë me ju nevoja në drejtim të atyre që janë më në hall. Ky është një bashkëpunim mes qeverisë dhe sipërmarrësve, pra mes qeverisë dhe jsuh si individë secilit prej jush t’i bjerë një barrë thuajse e barabartë përgjegjësie. Mekanizmi nuk do të kontrollohet nga qeveria, por nga ju. Ne do të jemi bashkë për të adresuar halle dhe nevoja për shqiptarët, që duhen realizuar në terrenin e jetës të përditshme. Unë dëshiroj të krijohet një lidership kombëtar në funksion të Shqipërisë Solidare. Ky është një solidaritet ndaj shqiptarëve. Kjo nuk ka asnjë lidhje me gjuhën e urrejtjes së opozitës, me “oligarkët “ etj.”, tha Rama.
Rama deklaroi se fondi është për t’iu ardhur në ndihmë të pamundurëve, kurse ka thënë edhe skemën sesi funksionin fondi.
“Secilit prej jush t’i bjerë një barrë e barabartë, e cila mund të jetë 2% mbi dividentin, jo të kompanisë, por dividentit tuaj. Mekanizimi nuk do të kontrollohet nga qeveria, por nga ju. Qeveria do të sjellë pranë jush nevojat dhe bashkë me ju, si pjesëtare e një bordi që duhet diskutuar se si do të zgjidhet nga ju dhe si do të bëjë të gjithë procesin, të përcaktojë se cilat janë ato halle dhe ato nevoja të menjëhershme që duhen kthyer në projekt dhe duhen realizuar në terrenin e jetës së përditshme” u shpreh Rama.