Vrasja e Besnik Hidës dyshohet të jetë bërë nga të njëjtët atentatorë të vrasjes së nipit të tij Zamir Latifi.
Kjo është pista kryesore mbi të cilën ka orientuar policia e Lushnjës hetimet për ngjarjen.
Për vrasjen e Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës në tetor të vitit 2017 policia shpalli në kërkim si autorë të dyshuar Orges Bilbilin dhe Laert Haxhiun të cilët megjithëse paraqesin një rrezikshmëri të madhe për shoqërinë vijojnë të jenë ende të lirë.
Vrasja e Besnik Hidës mund të ishte parandaluar nga policia
Kanë qenë vetë të afërm të viktimës të cilët kanë paralajmëruar policinë 2 javë para ngjarjes se 2 autorët e dyshuar të vrasjes se Zamir Latifit endeshin të lirë në Lushnjë.
Edhe vete viktima ka qenë i ndërgjegjshëm për kërcënimin që i kanosej.
Sipas asaj që raporton News24, që prej tetorit të 2017 e deri një javë para ekzekutimit vetë Besnik Hida ka njoftuar disa herë policinë për lëvizjet e 2 të shpallurve në kërkim si autorë të vrasjes së nipit të tij.
Hida ka paraqitur në polici edhe materiale filmike, se si 2 të shpallurit në kërkim lëviznin të pa shqetësuar në Lushnjë me makina luksoze si “Tuareg” dhe “BMW X6”. Por denoncimet ranë në vesh të shurdhër dhe mosveprimi i komisariatit Lushnjë solli një tjetër viktimë.
Familjarët e Zamir Latifit i frikësohen një atentati tjetër pasi për ta nuk po bëhet drejtësi dhe dora e krimit nuk po ndalet nga policia. Nga ana e saj policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, por momentalisht në dosje ka vetëm gjeneralitetet e viktimës dhe numrin e plumbave të derdhur drejt tij.
Megjithëse vrasja ka ndodhur në një zonë të mbuluar nga kamerat e sigurisë, sekuestrimi i tyre nuk e ka ndihmuar hetimin pasi atentatorët kanë qenë të maskuar dhe humbën çdo gjurmë pasi dogjën makinën.
Makina tip “Fiat” e përdorur në vrasje ishte e grabitur më 24 shtator në Tiranë. Dy grabitësit në ikje e sipër i kanë shpëtuar një patrulle policie në Elbasan, e cila konstatoi mjetin e grabitur dhe tentoi ta ndalojë.
Mbetet ende e paqartë se si ky mjet i vjedhur pa iu ndërruar targat mundi të kalojë nga kryeqyteti deri në Lushnjë i pa shqetësuar nga patrullat e policisë të cilat kishin marrë informacion për karakteristikat e tij?, raporton News 24.
35-vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi më datë 1 tetor teksa ishte duke konsumuar kafenë e mëngjesit në një prej bareve të qytetit të Lushnjes.