Zgjedhjet/ Meta “shuplakë” Ramës: Kush vjedh votat, s’mund të hetojë veten

E Enjte, 03 October 2019 21:26

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nga studio e emisionit “Opinion” nuk i ka kursyer “thumbat” ndaj kryeministrit, Edi Rama. Duke folur lidhur me krizën e rëndë kushtetuese në vend dhe çështjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, Meta u ndal dhe tek fenomeni i vjedhjes së votave në Dibër e Durrës. “Po unë e shikoj shumë të pamundur që ata që vjedhin votat, të hetojnë veten”, – është shprehur ndër të tjera Meta.

PJESË NGA INTERVISTA

Gazetari: Zoti President, ka një pretendim që ka mazhoranca që në fakt shkatërrimi i institucioneve ka ardhur nga fakti që, Presidenti i Republikës, pra ju personalisht jeni bërë palë me opozitën kundër mazhorancës.

Presidenti Meta: Në cilin rast?

Gazetari: Në rastin e anulimit të datës së zgjedhjeve, pra në fillim deklarimin pastaj anulimin e datës së zgjedhjeve…

Presidenti Meta: Si u bëra palë?

Gazetari: Dhe caktimi i një datë të dytë.

Presidenti Meta: Si u bëra palë unë me opozitën? Në ç’kuptim?

Gazetari: Në kuptimin që i shkuat pas fijes opozitës, e cila nuk pranonte të hynte në zgjedhje.

Presidenti Meta: Kjo nuk është e vërtetë.

Gazetari: Dhe meqenëse nuk hynte në zgjedhje, ju shtytë datën e zgjedhjeve.

Presidenti Meta: Kjo nuk është e vërtetë për arsye sepse ju e dini shumë mirë që opozita ka patur shumë kërkesa. Nuk ka patur vetëm çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve vendore. Madje kjo ka qenë më e parëndësishmja për ta.

Gazetari: Ka pasur largimin e Ramës.

Presidenti Meta: Ka patur dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Nuk e di, nëse ju keni dëgjuar ndonjëherë që unë të kem kërkuar dorëheqjen.

Gazetari: Ju mendoni se kishte të drejtë opozita?

Presidenti Meta: Më fal, nuk e di nëse ju keni dëgjuar ndonjëherë që unë kam kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Ka kërkuar që të arrestoheshin politikanët, ministrat, deputetët që kanë qenë të përfshirë në dy çështjet zyrtare për vjedhjen e votave….

Gazetari: Për vjedhjen e votave në Dibër dhe Durrës.

Presidenti Meta: ….me bandat, me policinë. Unë nuk kam kërkuar asnjë gjë nga këto.

Gazetari: Pse nuk ju shqetëson vjedhja e votave zoti President?

Presidenti Meta: Patjetër. Po unë e shikoj shumë të pamundur që ata që vjedhin votat, të hetojnë veten. Pra, kjo më është dukur një kërkesë jorealiste nga ana e opozitës.

Shqetësimi im i vetëm si President i Republikës nuk ka qenë garantimi i tekave apo edhe i të drejtave të PD-LSI apo edhe i partive të tjera opozitare për t’u zgjedhur sepse kjo është një çështje që u takon dhe vetë atyre, nëse e kanë vullnetin për të marrë pjesë në një proces.

Shqetësimi im ka qenë shumë i qartë dhe mbetet i palëkundur: Të garantojmë të drejtën kushtetuese themelore të të gjithë qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur, jo për të votuar. Për të votuar, kemi votuar 45 vite në komunizëm. Kanë qenë votime perfekte. Në qoftë se dikush mendon se zgjedhjet në kohën e komunizmit nuk kanë qenë perfekte, nuk kanë qenë të sakta, nuk kanë qenë të qeta.

Gazetari: Kanë qenë dhe me daulle…

Presidenti Meta: Për të zgjedhur dhe Kushtetuta jonë ka një koncept shumë të qartë se çdo të thotë ‘me të drejtë zgjedhje’ dhe ky është një koncept që bazohet automatikisht nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, që është detyrim.

Gazetari: Kush jua jep ju këtë të drejtë zoti President, që ta interpretoni këtë gjë që ‘kanë apo s’kanë të drejtë të zgjedhin’ shqiptarët.

Presidenti Meta: Mua këtë gjë ma ka dhënë Kushtetuta sepse Kushtetuta ka bërë të qartë që, i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë që cakton datën e zgjedhjeve është vetëm Presidenti i Republikës.

Gazetari: Duke ja përcaktuar ekzakt se kur është kjo datë.

Presidenti Meta: Nuk ka në Kushtetutën e Shqipërisë asnjë datë ekzakte për datën e zgjedhjeve vendore. Për këtë gjë mund t’i referoheni edhe komenteve që ka bërë Komisioni i Venecias ku ka bërë të qartë dallimin midis zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve vendore. Dhe ka bërë të qartë që afati i zgjedhjeve vendore është i deleguar me legjislacion. Pra, nuk ka në Kushtetutën e Shqipërisë asnjë afat të përpiktë apo eksplicit për çështjen e zgjedhjeve vendore. Kushdo që thotë diçka tjetër, thjesht gënjen.

Gazetari: Zoti President, ju vendosët që për hir të së drejtës së shqiptarëve për zgjedhje, pra për të zgjedhur…

Presidenti Meta: Për të gjithë qytetarët..

Gazetari: Për të gjithë qytetarët.

Presidenti Meta: Të të dy palëve. Të palëve që përkrahnin këtë opozitë, qoftë dhe për përgjegjësi të saj, nuk ishin arsye që shkonin të votonin, por edhe për shkak të atyre që ishin në Partinë Socialiste apo me partitë që donin të merrnin pjesë, të cilët një votim i tillë, i njëanshëm u cenon fshehtësinë e votës.

Gazetari: Patjetër. Padyshim. Jam krejtësisht dakord me këtë. Por, po i futem një logjike që vlen edhe për njerëz të zakonshëm, por dhe për partitë politike. Në këtë rast Ju e morët këtë vendim sepse dy ndër forcat kryesore politike nuk pranuan të futen në zgjedhje.

Presidenti Meta: S’është e vërtetë.

Gazetari: Po sikur në zgjedhjet e datës 13 mos hynte Partia Socialiste, do e shtynit prapë?

Që do të thotë që, nëse një forcë politike vendos të mos hyjë në zgjedhje për arsye të llogarive të saj të dobëta, le të themi, ose për një kalkulim. Presidenti do të jetë në funksion të kësaj partie?

Presidenti Meta: Jam dakord. Atëherë, jam shumë dakord me ju. Mos harroni, pikërisht këtu, ditën që unë kam bërë publik këtë dekret, kam bërë të qartë qëllimet cilat janë sepse Shqipëria ka disa detyrime ndërkombëtare: Konventa e të Drejtave të Njeriut, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ku garantimi i lirive politik të shtetasve përfshi dhe zgjedhjet e lira, të ndershme dhe pluralizmi politik është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Dhe shumë angazhime të tjera.

Është detyra e Presidentit që të bëjë të mundur ose të bëjë të pamundurën që këto të drejta të mbrohen dhe të garantohen në mënyrën më konstruktive, pa patur parasysh këtu përveç aspektit të sigurisë publike, sigurisë kombëtare që janë çështje tjetër.

Gazetari: Një pyetje konkrete.

Presidenti Meta : Me këtë rast unë e kam bërë shumë të qartë. Për t’iu dhënë një mundësi të gjitha partive të opozitës që të përfshihen në këtë proces, por edhe në rast se nuk përfshihen, Presidenti iu kam thënë nuk është këtu për të mbrojtur tekat e tyre, sepse ata mund të mos duan as njëherë, dhe të mos regjistrohen nëse nuk duan, por ama t’i japim mundësinë… Më falni! Më falni! Ju lutem! T’i japim qoftë edhe kësaj që quhet opozitë e re, kam thënë, që të regjistrohet e të ketë kohë që kandidatët të …. kenë kohë dhe qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin midis dy kandidatëve.

Login to post comments