Meta: Venecia ka tejkaluar kompetencat e saj! Zero frikë për shkarkimin

E Enjte, 03 October 2019 21:37

Presidenti Ilir Meta do të bëjë publik të premten qëndrimin e tij në lidhje me opinionin paraprak të Komisionit të Venecias, që e gjente atë në tejkalim të kompetencave, por pa kryer një shkelje të rëndë që mund t’i kushtonte mandatin.

Por cili është qëndrimi i Presidentit dhe çfarë do të ketë në këtë dokument? Detajet që kreu i shtetit ka dhënë në një intervistë për emisionin Opinion.

****

Keni njoftuar, pra Presidenca ka njoftuar që nesër do të bëjë publike disa argumente ose një material lidhur me përfundimet paraprake, draft raportin e Komisionit të Venecias, për çfarë bëhet fjalë?

Ilir Meta: Që ditën e hënë, zëdhënësi i presidentit, z.Blushi ka bërë të qartë që do të ketë një reagim në respekt të transparencës me opinionin publik, por edhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë sikurse është vepruar në vijimësi edhe për këtë draft opinion të Komisionit të Venecias do të ketë një dokument zyrtar publik të institucionit të Presidentit, i cili do të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët të cilët janë të interesuar për të ditur opinionin e presidentit përballë opinionit të Venecias.

Ju vetë personalisht jeni dakord me draftin e Venecias?

Ilir Meta: Unë mendoj se qëndrimi do të bëhet nesër publik. Do të jetë një qëndrim zyrtar, do të ketë një letër timen si president i Republikës drejtuar presidentit të Komisionit të Venecias dhe të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias me disa konsiderata për këtë draft paraprak. Do të ketë edhe disa pyetje që të ndihmohet më tej komisioni i Venecias për shterimin e kësaj çështje. Po kështu do të jetë i publikuar drafti i opinionit të komisionit dhe njëkohësisht dhe qëndrimi i institucionit të presidencës.

Në një intervistë që keni dhënë për Çim Pekën keni deklaruar së ka mundësi, me të gjithë respektin për Komisionin e Venecias keni deklaruar se shpreson që komisioni nuk do të bëhet në bazë të lobimeve, fjalëve apo gjërave të tjera siç ndodh me ambasadat në Shqipëri? Keni frikë se ka ndodhur këtë herë?

Ilir Meta: Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë frikë për institucionin e Presidentit sepse jam shumë i qartë në të gjitha veprimet publike që kam bërë lidhur me çështjen në fjalë. Ato janë bërë përballë qytetarëve shqiptar dhe i vetmi shqetësim i imi është të ruajmë integritetin e Komisionit të Venecias pasi mendoj se kjo do të ishte e dobishme për vetë Komisionin.

Po pse ju i intereson integriteti i Komisionit të Venecias dhe jo integriteti i institucioneve në Shqipëri Z.Meta?

Ilir Meta: Tani, nëse do të kishim ruajtur integritetin e institucioneve në Shqipëri do të kishim situatë krejtësisht tjetër përsa i takon funksionimit të demokracisë në vend. Nuk do të kishim një temë të tillë, nuk do të kishim një krizë të tillë, nuk do të ishim pa gjykatë kushtetuese qëllimisht prej më shumë se dy vitesh. Nuk do të ishim në kolaps institucional.

Gjyakën Kushtetuese e kanë votuar të gjitha palët, përfshirë edhe ju…

Ilir Meta:Pikërisht, ajo që u votua më 22 korrik para tre vitesh kur unë isha kryetar Kuvendi u shkel me të dyja këmbët përgjatë këtyre tre viteve. Kjo është arsyeja që kaluam nga reformë në atë që unë e kam quajtur në të kaluarën stilistikisht, Ramaforë.

Z. President ka një pretendim që vjen nga mazhoranca që në fakt shkatërrimi i institucioneve ka ardhur nga fakti se presidenti, pra ju personalisht jeni bërë palë me opozitën kundër mazhorancës.

Ilir Meta: Në cilin rast?

Në rastin e anulimit të datës së zgjedhjeve, pra në fillim deklarimin dhe pastaj anulimin dhe në caktimin e një date të dytë.

Ilir Meta: Si u bëra palë unë me opozitën, në ç’kuptim?

Në kuptimin që i shkuat pas fijes opozitës e cila nuk pranonte të hynte në zgjedhje dhe duke qenë se ajo s’pranonte të hynte në zgjedhje ju shtytë datën e zgjedhjeve?

Ilir Meta:Kjo nuk është e vërtetë për arsye sepse opozita ka pasur shumë kërkesa. Nuk ka patur vetëm çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve vendore, madje kjo ka qenë më e parëndësishme për ta. Ka patur dorëheqjen e kryeministrit Rama, nuk e di nëse ju keni dëgjuar ndonjëherë që unë ta kem kërkuar dorëheqjen e tij.

Ju mendoni se kishte të drejtë opozita në këtë pikë?

Ilir Meta: Jo më fal, nuk e di nëse ju keni dëgjuar ndonjëherë që unë të kem kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama, ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, ka kërkuar që të arrestoheshin ata politikanët, ministrat, deputët që kanë qenë të përfshirë në dy çështje zyrtare për vjedhjen e votave.

Për vjedhjen e votave në Dibër dhe në Durrës…

Ilir Meta: Unë asgjë nga këto nuk kam kërkuar që…

Pse nuk iu shqetëson vjedhja e votave?

Ilir Meta: Jo patjetër. Po unë e shikoj shumë të pamundur që ata që vjedhin vota të hetojnë veten. Pra, kjo më është dukur içik kërkesë jo realiste nga opozita. Shqetësimi im i vetëm si president nuk ka qenë garantimi i tekave apo edhe i të drejtave të PD-LSI apo dhe partive të tjera opozitare për tu zgjedhur sepse kjo është një çështje që iu takon dhe atyre vetë në rast se e kanë vullnetin për të marrë pjesë në një proces. Shqetësimi im ka qenë shumë i qartë dhe mbetet i palëkundur, të garantoj të drejtën kushtetuese, themelore të gjithë qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur.

Për të votuar…

Ilir Meta: Jo për të votuar se kemi votuar në komunizëm 45 vjet. Kanë qenë zgjedhje perfekte, perfekte. Nëse dikush mendon se zgjedhjet në komunizëm nuk kanë qenë përfekte, nuk kanë qenë të sakta, nuk kanë të qeta.

***

Komisioni i Venecias vlerësoi se Presidenti Ilir Meta ka vepruar në tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese ndërsa vendosi të anulojë 30 Qershorin si datë të zgjedhjeve vendore.

Në draft opinionin e tij, Komisioni megjithatë vëren se sipas tij, nuk janë kushtet për të vërtetuar një shkelje serioze që do të çonte në shkarkimin e tij.

Por kreu i shtetit Ilir Meta ka dhënë një përgjigje për Komisionin e Venecias nga emisioni Opinion.

“E para, ka tejkaluar Venecia kompetencat e saj dhe do e dëgjoni nesër. Është shumë e sigurt. Nuk ekziston termi tejkalim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ekziston shkelje dhe shkelje e rëndë dhe presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë dhe krim”, tha Meta

Keni frikë se mund t’ju shkarkojnë?

“Zero… Në Kushtetutën e Shqipërisë është shumë e qartë se i vetmi institucion që cakton zgjedhjet është presidenti. Kushtetuta është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm me të cilën nuk mund të luaj askush. Parimi kryesor i kushtetues sonë është pluralizmi politik”.

 

/ Opinion.al

Login to post comments