Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë skandalin e fotos me presidentin amerikan Barack Obama për të cilën një shtetas amerikan i dënuar nga gjykatat e vendit të tij ka deklaruar se janë paguar 80 mijë dollarë.
I ftuar në “Real Story”, kreu i qeverisë mohoi gjithçka dhe çdo lidhje me këtë skandal.
“Nuk kam asnjë lidhje dhe nuk kam bërë asnjë pagesë për këtë foto. Nuk kam lidhje me asnjë lloj afere për këtë foto. Nuk kam marrë pjesë në asnjë aktivitet, por kam bërë vetëm një foto dhe kam pasur një takim të shkurtër me presidentin Obama. PD kërkon nga prokuroria të hetojë për këtë çështje. Nuk kam asnjë problem. Këtë që thashë këtu do ta them edhe në çdo vend tjetër”, tha Rama duke e akuzuar kreun e opozitës Lulzim Basha se “me këtë lëvizje kërkon të mbulojë aferën e pagesave të lobimit të SHBA”.
“Kjo është një çështje e hetuar dhe e gjykuar në SHBA dhe unë po të kisha lidhje me këtë çështje nuk do isha një person tërësisht i papërfshirë, i pa pyetur dhe i pakonsideruar gjëkundi nga ana e drejtësisë amerikane. Kjo vjen si përpjekje për rikompensuar në sytë e publikut një çështje tjetër të hapur, shkelje flagrante e ligjeve shqiptare dhe me përfshirje të aktorëve të tretë përmes financimit të PD. Është thjesht një lojë politike dhe nuk më intereson. Unë nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment, kam bërë një foto me presidentin e SHBA-ve dhe kaq”, deklaroi Rama.
Disa ditë më parë gjykata dënoi një shtetas amerikan, William Argeros me akuzën se kishte ndërhyrë për të mundësuar një foto të kryeministrit shqiptar me presidentin e SHBA duke sajuar një kontribut të paligjshëm nga një i huaj. /Opinion.al