Në një lidhje me Skype për Syri TV, diplomati i njohur Mal Berisha ka komentuar procesin zgjedhor në Kosovë dhe rezultatin e tyre.
Ai është shprehur i impresionuar nga sjellja demokratike që treguan politikanët dhe qytetarët e Kosovës duke zhvilluar një proces demokratik, sipas tij.
"Ka qenë një nga ditët më të bukura. Ajo që duhet përshëndetur është mënyra demokratike që shqiptarët e Kosovës bënë gjatë procesit zgjedhor. Edhe kryeministri që vendosi interesin kombëtar para atij personal. Dita e zgjedhjeve ishte një derivat i një procesi demokratik, ndërsa populli votoi lirshëm dhe solli atë proces që solli", deklaroi Mal Berisha.
I pyetur për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, diplomati i njohur u shpreh se fitorja e tij vjen si pasojë e përqafimit që i kanë bërë votusit në Kosovë platformës së tij.
"Unë mendoj se, politikanë si Kurti e nisin aktivitetin politik që herët. Është një djalë që aktivitetin e vet e ka nisur që kur ka qenë student. Rezultati është shumë i ngushtë me LDK-në, por është në krye të listës. E shoh si një akt ndaj një personi që futet në politikë me një axhendë të caktuar, duron, dhe pret të maturohet për të ardhur në pushtet. Ka vepruar me një platformë që masa kryesore e votuesve në Kosovë e kanë përqafuar", u shpreh Berisha.
Sa i përket koalicioneve të mundshme, Berisha u shpreh: "Të gjitha rrugët janë të hapura, por çfarë do lloj koliacioni duhet të kryhet në mënyrë demokratike, si zgjedhjet".
A ndihmojnë këto zgjedhje në rrugëtimin europian të Kosovës?
"Jam shumë i lumtur dhe i impresionuar nga sjellja e qytetarëve të Kosovës. Demokracia aty nuk ka një jetëgjatësi të madhe. Vetëm 11 vjet më parë u bë shtet i pavarur. Në kaq pak mkohë arritën në një standart demokracie që mund të barazohet me ato të Europës Perëndimore. Kosova është një pjesë integrale e kulturës europiane", deklaroi Mal Berisha.