VIDEO/ Basha: Gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër, por të garantohet liria e votës

E mërkurë, 23 October 2019 19:39

Në një intervistë për “Vizion Plus”, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, deklaron se arsyet se pse disa vende të BE-së i thanë “Jo” negociatave ne Shqipërinë, ishin mjaft të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, tha Basha, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, si dhe ndarja e pushteteve është cituar si problematikë.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Zoti Basha, më 18 tetor Këshilli Europian vendosi të mos hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Pse mendoni është faji i qeverisë, përgjegjësia e qeverisë? Pse kërkoni ju zbatimin e skenarit maqedonas për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme?

Lulzim Basha: E para, nuk e them unë, e thotë vetë Bashkimi Europian që, në rastin e Shqipërisë, nuk pati konsensus, por, përkundrazi, kishte një numër të madh vendesh, jo vetëm Franca, që ishin kundër. Arsyet, po kështu, këto vende, i kanë bërë të qarta: luftë e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Pra, krimi dhe korrupsioni mbeten shqetësim i madh, ndarja e pushteteve është cituar si problematikë.

Pyetje: Pse na duhen zgjedhje të parakohshme në fakt, si në Maqedoni? Pse është zgjidhja kjo?

Lulzim Basha: Në fakt Shqipërisë i duhen zgjedhje të parakohshme shumë më shumë sesa Maqedonisë. Vendimi i Maqedonisë tregon sesi veprojnë drejtuesit me një fije përgjegjësie ndaj vendit

Pyetje: Jeni gati ju të shkoni në zgjedhje të parakohshme? Kushtetuta e parashikon për 45 ditë. Apo duhet të plotësojmë kushte të tjera?

Lulzim Basha: Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës

Pyetje: Si?

Lulzim Basha: Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash.

Pyetje: Ka një debat të bërë tashmë prej 9 muajsh, me Edi Ramën kryeministër, pa Edi Ramën kryeministër?

Lulzim Basha: Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 Qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo!

Pyetje: Ju përfaqësoni interesat e qytetarëve që besojnë tek opozita, z. Rama përfaqëson ka mbështetjen e socialistëve. A jeni gati ju të uleni me Kryetarin e Partisë Socialiste në një tryezë dialogu për t’i çelur rrugën zgjidhjes së krizës?

Lulzim Basha: Nuk kemi përjashtuar asnjëherë dialogun. Por dy gjëra të ndryshme është propaganda, pra, ulja për t’u ulur, siç ndodhi në 2017-ën, ku u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesa tona politike. U nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua.

Pyetje: Ju thatë që, pas takimit të shefes së misionit të OSBE/ODIHR-it, që reforma zgjedhore është e vetmja rrugë për të dalë nga kriza. Pati një moment konsensusi, kur PD mori pjesë në një tryezë të OSBE/ODIHR-it, prej atij momenti nuk kemi patur asgjë. Është prishur konsensusi, po kërkohet të gjendet një rrugë që PD të jetë pjesë e reformës zgjedhore?

Lulzim Basha: Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kemi marrë një përgjegjësi që në fakt nuk na takon ne, por i takon maxhorancës. Por siç e keni parë z.Rama e ka trajtuar këtë si një luks personal dhe mendon se duke u tallur apo duke krijuar procese fallco dhe artificiale, do të arrijë të blejë pak më shumë kohë. Nuk arrin dot ta shesë sapunin për djathë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta, reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër por të zbatohet. Që do të thotë për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale.

Pyetje: Pas Berlinit, ju do të niseni n SHBA. Cili ëhstë qëllimi i vizitës?

Lulzim Basha: I gjithë kontakti im me faktorin ndërkombëtar, me partnerët tanë strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë, Francën, vendet e tjera të BE, Hollandën, kanë një dhe vetëm një qëllim -dhënien fund të kësaj krize të tmerrshme politike, që është kthyer në një krizë ekonmike dhe sociale për shqiptarët dhe hapjen e horizontit për Shqipërinë europiane.

Pyetje: Ka lidhje kjo vizitë me financimet, siç ju kanë akuzuar kundërshtarët?

Lulzim Basha: Po pse do të ketë lidhje me hetimet politike të Edi Ramës?

Pyetje: Kur dogjët mandatet, a ishit ju të vetëdijshëm se kjo rrugë e opozitës jashtë sistemit, do të ishte një rrugë e gjatë?

Lulzim Basha: Pa diskutim!

Pyetje: Deri në 2021-shin?

Lulzim Basha: Përpjekja jonë nuk është për pushtetin tonë personal. Përpjekja jonë nuk është për të shpejtuar rrugën e ardhjes në pushtet të PD. Përpjekja jonë është për të shkurtuar rrugën e vuajtjeve të shqiptarëve.

Login to post comments