Në një kohë kur Opozita e Bashkuar ka nisur punën për Reformën Zgjedhore, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, ka treguar për mikrofonin e Syri TV pikat kryesore të platformës alternative të opozitës jashtëparlamentare.
Sipas tij, një reformë e dalë nga një parlament njëpartiak nuk mund të ketë as kredo ligjore dhe as morale.
“Unë nuk do desha të ndalem në një draft të njëanshëm. Për të bërë një reformë të vërtetë ne kemi dhënë idetë tona, edhe në tryezën e OSBE, po nuk ka se si kjo reformë të dalë nga një parlament njëpartiak, i pabesueshëm si ligjërisht ashtu edhe moralisht", shprehet Kaso.
Propozimi është mirëpritur nga komuniteti ndërkombëtar, por nuk kemi ende një përgjigje nga mazhoranca.
I pyetur nga gazetari Ermal Rizai lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend, sipas Kasos, nuk është sistemi problemi real sa i përket proceseve zgjedhore në vend, por shtoi se, PD dhe opozita e bashkuar janë të hapura për të diskutuar çdo ide lidhur me këtë çështje.
“Diskutimi është i hapur brenda koalicionit për të gjetur se cili është sistemi më i mirë, edhe për momentin ku ndodhet vendi. Në momentin që opozita e bashkuar të kristalizojë vendimin e saj do ta bëjë publike. Ndryshimi i ri kërkon një përqafim më të gjerë. Por ne mbetemi të hapur”, u shpreh ai.
Shqipëria ka nevojë për një sistem demokratik dhe ku sovrani të mundë të zgjedhë qeverinë e tij, do të shtonte më tej zyrtari i selisë blu.