Themeluesi i PS, Limoz Disdari: Zoti Kryeministër, jep dorëheqjen e menjëhershme

Premte, 25 October 2019 16:27

Themeluesi dhe ish-deputet i PS, Artisti i Merituar Limoz Disdari, në një intervistë për gazetën ‘Telegraf’ dialogon me Kryeministrin Rama, duke përdorur sarkazëm dhe ironinë e një artisti të madh, por edhe një personaliteti politik.

Artisti Limoz Disdari, me sarkazëm i thotë Kryeministrit se, kur u kthye nga Brukseli, i dështuar për të dytën herë për mos hapjen e negociatave, i thotë që nuk foli si Talejrandi, por si vetë Buonaparti…Artisti Limoz Disdari, me sarkazëm, i thotë kryeministrit Rama, se ai u foli që t’u jap mend, jo aq shqiptarëve, por gjithë Botës…

Dhe një lider i tillë, thotë artisti Dizdari, nuk mund të japë dorëheqjen, sepse do shumë Kullat, Rrugët, Minierat, të gjitha asetet e këtij vendi. Dhe artisti Limoz Dizdari i thotë kryeministrit Rama: ‘Ju zoti kryeministër nuk e doni këtë vend e nuk e përfillni atë, keni më shumë qejf të talleni me të’.

I nderuar zoti kryeministër! E dëgjova me shumë vëmendje intervistën Tuaj që dhatë sapo u kthyet nga Brukseli. Ishte një bisedë e sinqertë, e qartë dhe pa pasion. E tillë m’u duk, edhe se Ju, sikur kishit përvetësuar plotësisht këshillën e Talejrandit, i cili porosiste: ‘Sur tous pas traup de zels’, (Mbi të gjitha, pa pasion).

Sidoqoftë, në fjalën Tuaj kishte shumë këshilla të vyera, në atë, që ato tentonin të vinin tek ne, jo prej teje si kryeministër, por tamam prej Jush si Ministër i Jashtëm në prezencë të të ngarkuarit Tuaj, zotit Cakaj. Këtu mua m’u duk e m’u krijua përshtypja se nuk flisnit si Talejrandi, por si vet Buonaparti, që jepte këshilla për të gjithë popujt në shumë kontinente e që duhet ta dëgjonin të gjithë me shumë vëmendje.

Veçanërisht Populli apo delet e perëndisë, t’i vlerësojnë mirë trillet e Tuaja profetike. Ai duhet të kuptojë e t’i vlerësojë mirë se, qeveria i ka bërë shumë mirë punët e saj, por Evropa ka hallet e veta të brendshme, që janë të shumta, gjë që ne padyshim nuk i kuptojmë dot, ato…. janë të koklavitura, por që duken qartazi në takimet e shumta me kryeministrat e shteteve pjesëmarrëse. Ato bien botërisht në sy, në copa bisedash me ta, por ne duhet të vazhdojmë përpara. Kjo është shumë e rëndësishme. Të shohim vetëm PËRPARA.

Ju të jepni dorëheqje!!! Dhe kjo ka shumë arsye: – Ju e doni jashtë masë Atdheun, Popullin, Njerëzit e veçanërisht LANÇ. Ju i doni shumë Kullat, Rrugët, Minierat, të gjitha asetet e këtij vendi.

Nuk e di se pse Ju zoti kryeministër, në këtë moment më kujtuat një takim të një instruktori të dikurshëm të Komitetit të Partisë së Punës me punëtorët e një ferme dhe shumë kooperativistë: Ai rrekej t’i bindte dëgjuesit se, Kina kishte bërë gabim të madh dhe do ta kishte shumë problem që po prishej me ne – Shqipërinë dhe shqiptarët, prandaj këshillonte ai, se – Ne duhet të shohim vetëm PËRPARA e të mos mërzitemi.

Pjesëmarrësit, të bindur, të urtë e punëtorë, prisnin qetësisht që oratori instruktor, të përfundonte. Si zakonisht u bë një pyetje nga organizatorët:

Ka pyetje, apo diskutim?

U ngrit një fshatar i cili, ashtu në ecje e sipër foli shumë thjesht:

– Ju e kini pasur shumë të vështirë të na bindnit t’i donim, – hiç mos u shqetësoni…

Këtë episod më kujtuat zoti Kryeministër, kur Ju i përgjigjeshit pyetjes për përgjegjësinë Tuaj pse nuk u pranuam për hapje negociatash nga BE-ja. Jam i bindur për përpjekjet Tuaja shumë të mëdha që nuk arritët të bindnit Francën dhe Gjermaninë. Gjëra që ndodhin. Çudi! Mos ndoshta është koha dhe për Ju të bëni dorëheqje?… Kjo po, që do na shqetësonte shumë, ka kohë që ju kërkohet që Ju të ikni dhe e keni kundërshtuar me shumë forcë këtë opinion se, si mund të ndodhë kjo gjë kaq lehtësisht. Jo! Kjo s’mund të ndodhë… Ju të jepni dorëheqje?!!! Dhe kjo ka shumë arsye:

Ju e doni jashtë masë Atdheun, Popullin, Njerëzit e, veçanërisht LANÇ-in.

Ju i doni shumë Kullat, Rrugët, Minierat, të gjitha asetet e këtij vendi, Kulturën dhe Arsimin e këtij vendi.

Ju ngritët një ministri për diasporën dhe refugjatët.

Këtu mua m’u duk e m’u krijua përshtypja se nuk flisnit si Talejrandi, por si vet Buonaparti, që jepte këshilla për të gjithë popujt në shumë kontinente e që duhet ta dëgjonin të gjithë me shumë vëmendje.

Ju me siguri keni shumë detyra për të bërë dhe sqarime për të dhënë. Të gjitha grupet e interesave ju duan shumë. Ju duan shumë ministrat që ju rrethojnë, policët që përballen me sharjet, gurët dhe fjalët e ndyra që bien mbi ta; zyrtarët e administratës memece me gjuhë të gjatë e të trashë si dhe llafazanët shurdhues në errësirën e tyre. Të gjithë ju duan pa masë. Ju bëtë shumë qoka me fondet e këtij shteti, por të darovitura si projekte… Joo! Në asnjë mënyrë mos jep dorëheqje!… Ç’të duan le të thonë ata…mos dëgjo Zaev-in që do të japë dorëheqje apo kërkon të bëjë zgjedhjet e parakohshme! …apo i ka vetëm propozime Kjo nuk mund të ndodhë. Joo dhe pikë.

Zoti kryeministër, le t’i lëmë shakatë dhe sarkazmat – të flasim drejt:

Ju jeni më i zoti se çdo kush tjetër si i tillë. Me statusin tuaj apo dhe të atyre, që kanë qenë para jush këtu, në rajon a në botë, e po kaq lart sa Ju, nuk ka arritur t’u konkurrojë, sidomos kur është fjala për shakatë që bëni, të cilat duhen përkthyer: si lutje, lot, brenga, dhimbje apo vetëvrasje.

Ne njihemi shumë mirë së bashku. Kemi folur, kemi diskutuar si dhe kemi tentuar të punojmë, po kurrë nuk jemi marrë vesh. Ka qenë e pa mundur. Jeni një shpërdorues i rëndomtë i fjalës dhe i besimit, – një i vetëklonuar përsosmërish! U talle shumë me komisionin parlamentar shqiptar të kulturës dhe arsimit në Parlament. Por ai komision parlamentar që ‘unë nën-drejtoja’ – siç shpreheshit Ju atëherë, e bindi parlamentin shqiptar të mos merrte parasysh kërkesën Tuaj që të prishej Teatri Kombëtar, atë që Ju e kërkoni me insistim ta bëni sot nga maja e pushtetit, ku gjendeni.

Unë nuk e mora vesh se ku u gjet ai kallamar me bojë të njomë, që ta përsërisnit atë kërkesë të keqe e të gjatë në ligësinë e saj dhe trimërisht të kthjellët për interesat që parashikonte. Sigurisht, duke përdorur çdo mjet që justifikon qëllimin, të cilin filozofia Juaj përfaqëson. Këtë përpjekje e keni bërë edhe me shumë figura artistike të vyera, duke tentuar për të arritur të deformoni personalitetin dhe kontributin e tyre, përmes përpjekjeve Tuaja që t’i ushqeni me projekte artistike pa asnjë dobi shoqërore, por, më së shumti ndihmojnë për një përçarje tërësisht të dëmshme. Ato projekte të dhëna në mënyrë tinëzare, më shumë ngjajnë si produkte hormonale që të shtojnë në peshë e të bëjnë obez.

Ju zoti kryeministër nuk e doni këtë vend e nuk e përfillni atë, keni më shumë qejf të talleni me të Unë nuk dua të besoj se Ju abuzoni, duke vjedhur votat, për të zaptuar pushtetet, pronat, fondet,

Ju z. Kryeministër akuzoheni se keni krijuar një rrjet ministror e administrativ, që ju rrinë ‘sus’. Për të gjitha këto ju domosdoshmërisht duhet të jepni përgjigje e domosdoshmërisht të kërkoni llogari. Ju gjithashtu akuzoheni se jeni arrogant dhe se mbani përgjegjësi që Shqipëria po boshatiset, një vepër shumë e rëndë, por a mund të jetë një vepër e tillë vetëm e juaja?

Si ndodhi që projekti për Teatrin Kombëtar, rivjen në skenën politike mbas 20 vitesh me një arrogancë të pa precedent dhe me kaq shumë mospërfillje?!

Mos ndoshta, pse Ju jeni më i madhi i shtetit?! Dy ishin emrat që mund të pengonin atë kallamar të zi me bojë të njomë që mban peng një grupim të madh artistik: Milva Ikonomi që është zv/kryetare e komisionit, që të vërtetën e fjalës së saj nuk e përfilli kush dhe emri tjetër është ai i Gramoz Ruçit, mbi të cilin bien shumë gabime dhe faje me përgjegjësi.

Më vjen shumë keq që zë në gojë këta dy emra, që për mua kanë qenë shumë të respektueshëm, sepse jehona e luftës dëgjohet gjatë, për sa kohë janë gjallë luftëtarët e asaj lufte. Shumë muaj më parë atyre iu kam shkruar personalisht për çfarë mendoj, por nuk kam asnjë përgjigje prej tyre. Kjo më bën të mendoj se problemi është më i madh e më i komplikuar, ndërsa ajo çfarë shohim e ndjejmë, është më tragjike:

-S’ka me shpresë,

-s’ka me besim,

-s’ka me drejtim,

-s’ka me vlerësim.

Gjithçka është e përkohshme dhe vërtet tjetërsohet.

Ju zoti kryeministër nuk e doni këtë vend e nuk e përfillni atë, keni më shumë qejf të talleni me të.

Unë nuk dua të besoj se Ju abuzoni, duke vjedhur votat, për të zaptuar pushtetet, pronat, fondet.

Ju z. Kryeministër akuzoheni se keni krijuar një rrjet ministror e administrativ, që ju rrinë ‘sus’. Për të gjitha këto ju domosdosmërisht duhet të jepni përgjigje e domosdoshmërisht të kërkoni llogari.

Ju gjithashtu akuzoheni se jeni arrogant dhe se mbani përgjegjësi që Shqipëria po boshatiset, një vepër shumë e rëndë, por a mund të jetë një vepër e tillë vetëm e Juaja?

Zoti Kryeministër, jeni një pushtet – mbajtës i tërë pushtetshëm në çdo vendimmarrje, pa u matur, pa u konsultuar me strukturat institucionale shtetërore, pa pyetur shpeshherë as për ligjet, vendimet, bordet drejtuese, pa le për ministrat e akoma dhe më keq për drejtorët e mjerë.

… por sidoqoftë, si administrator i shtetit, rëndon portreti Juaj shumë rëndë, si pjesë e fajit dhe e turpit.

Ju zoti kryeministër, keni një përgjegjësi ekstreme lidhur me transformimin e PS-së në grupime njerëzish që s’kanë asnjë lidhje shpirtërore apo politike, me këtë forcë të majtë e të përgjegjshme. Kjo është një e vërtetë që bie lehtësisht në sy e që krijon brengë tek gjithë ai grumbull i madh njerëzish të ndershëm e të përgjegjshëm që përbënte dikur Partinë Socialiste.

Zoti Kryeministër, më bën jashtëzakonisht përshtypje forca Juaj, kur është fjala për vendimmarrje: Jeni një pushtet – mbajtës i tërë pushtetshëm në çdo vendimmarrje, pa u matur, pa u konsultuar me strukturat institucionale shtetërore, pa pyetur shpeshherë as për ligjet, vendimet, bordet drejtuese, pa le për ministrat e akoma dhe më keq për drejtorët e mjerë.

Në kartelën për shqiptarin, që hartoi Faik Konica, citohet studiuesi gjerman Herbert Louis, i cili pohon se: ‘Në Shqipëri nuk ekziston një dukuri e tillë si turma. Sipas tij, çdo shqiptar i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të habitshme për të vendosur vete!’ ‘Mungesa e frymës së kopesë, interpreton Faik Konica, mund të jetë interesante, por ajo ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë…. ideja e tij për Qeverinë nuk i ka kapërcyer kufijtë e qytetit ose malit të tij’ (‘Shqipëria – Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore’). Themi shpesh herë, se ne paguajmë një imazh, – imazhin e njeriut që ecën buzë Lanës, para SHQUPI-it me atë ecjen e shkujdesur me sëpatë në dorë.

Ishte një pamje shumë e shëmtuar ajo ecja jote krenare me sëpatë në dorë… Mesazhi erdhi shumë i qartë për çdo shqiptar …. të paktën të kishe marrë një nga ato spatulat e baltës që përdorte Kristaqi … ose një penel nga tavaloca jote e punës ….por jo ….. Ajo çfarë kishe nevojë të përçoje tek ne të gjithë, vetëm sëpata e kryente atë mision. E shëmtuar… dhe e përsëritur shumë herë në variante të tjerë.

Të ardhur me vullnetin tonë të lirë e plot ëndrra, të heshtur e të vetmuar kaq larg, mbase do të duhej të mos flisnim, nëse nuk do të ishim të ndërgjegjshëm për atë se çfarë ne bëjmë këtu, e që është shumë më e dobishme se çdo premtim i dhënë vetëm përmes fjalëve që mund të artikulojmë.

Por a mundet të mos flasim, kur shohim mënyrën kaq selektive të qëndrimeve të Qeverisë, për pronën, pushtetin dhe njerëzit?

Si mundet të mbyllim gojën, kur kemi pothuaj 20 vjet, që kërkojmë të zbatohet ligji, e që vetë Ligji ka më shumë se 20 vjet, që lutet e i përgjërohet Qeverisë, të respektohet Parlamenti i Shqipërisë?

Për këto dhe shumë të tjera mendoj dhe do të bënit shumë mirë të jepnit dorëheqjen e menjëhershme në mënyrë të parevokueshme. Kini mirësinë të kuptoni se janë të shumtë njerëzit që mendojnë kështu. Ndryshimin e bëjnë vetëm ata që heshtin; janë njësoj të tille – Janë të thjeshtë e modestë në mençurinë e tyre, por jo se nuk do të jenë dakord me një dorëheqje dinjitoze të mundshme, nga ana Juaj.

Megjithatë, dua ta dish Edi, Kristaqin e njoha aq, sa ajo që ma bëri ta doja ishte vetëm natyra dhe vepra e tij, e cila rriti tek unë, çdo ditë e më shumë, respektin për të.

Ju përshëndes dhe Ju uroj krijimtari të mbarë!

Login to post comments