“Zëri i Amerikës”: Brenda 30 ditësh ngrihet SPAK, javë tjetër intervistohen 3 kandidatët në garë

Premte, 25 October 2019 19:08

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendoi sot të nisë procedurat për emërimin e 8 anëtarëve të parë të Prokurorisë speciale antikorrupsion, ose e njohur ndryshe si SPAK. Procedurat do të duhet të përmbyllen brenda 30 ditësh.

Kushtetuta përcakton se numri minimal i anëtarëve të SPAK-ut duhet të jetë 10 prokurorë, Këshilli gjykoi se me vendimin e sotëm po nis plotësimin e organigramës së këtij institucioni. Nga 15 kandidatë të përzgjedhur për në Prokurorinë speciale, vetëm 8 kanë kaluar të gjitha shkallët e verifikimit të figurës. Një kandidatë është rrëzuar ndërsa një tjeër është emëruar në Gjykatën Kushtetuese, dy janë në pritje të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, ndërsa për tre të tjerë, procesi nuk ka nisur ende.

Këshilli vendosi gjithashtu sot që të hapë garën dhe për drejtuesin e përkohshëm të SPAK-ut, si dhe të nisë konsultimet me Këshillin e Lartë Gjyqësorë për vënien në funksion paralelisht dhe të Gjykatës speciale antikorrupsion.

Javën e ardhshme ndërkohë, Këshilli i Prokurorisë do të njoftoje tre kandidatët e mbetur në garë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që brenda 10 ditësh, të përgatiten për fazën e intervistimit. Vendimi erdhi pasi sot Gjykata rrëzoi padinë e Lulzim Alushajt, kandidatura e të cilit ishte rrëzuar nga KLP. Menjëherë pas mbylljes së intervistave me tre kandidatët, Olsian Çela, Arta Marku dhe Fatjona Memçaj, , Parlamentit, siç shpjegoi drejtuesi i Këshillit Gent Ibrahimi, do t’i dërgohet lista, me renditjen sipas vlerësimit./VOA

Login to post comments