1-vjetori i vrasjes së Kacifas/ Ekstremistit i ndalohet hyrja në Shqipëri: 'Rama po terrorizon pakicën kombëtare greke'

Premte, 25 October 2019 19:23

Autoritetet shqiptare nuk lejojnë të hyjë në Shqipëri Babis Karathanos, ekstremisti grek, mbështetës i hapur i Agimit të Artë dhe shpeshherë protagonist i thirrjeve anti-shqiptare.

Kreu i Shoqatave të Pakicave Greke në Shqipëri ka publikuar në profilin e tij në Facebook një dokument, i cili i ndalon hyrjen në vendin tonë.

Sipas tij, Karathanos nuk zotëron dokumentet e nevojshme për të kaluar kufirin greko-shqiptar.

“Pas disa orësh të shpenzuar në kufirin e Greqisë me Shqipërinë, duke u përpjekur për të arritur në Vularat për të marrë pjesë në përvjetorin e Kostandin Kacifas, ata më dhanë këtë dokument dhe më ndaluan të hyj në Shqipëri. 

Sigurisht, me të njëjtat dokumente udhëtimi udhëtoj shpesh në Evropë, por jo në Shqipëri. Kryeministri i këtij vendi ndalon qytetarët grekë të kalojnë në territorin e tij me justifikime qesharake.

Ai dëshiron që vendi i tij të bashkohet me familjen europiane, por ndërkohë po terrorizon pakicën kombëtare greke të Epirit të Veriut. Uroj të kem një takim me kryeministrin grek.”, shkruan Karathanos në postimin e tij.

Kush është Babis Harallambos Karathanos?

Emri i Babis-Harallambos Karathanos është i lidhur me një ngjarje tragjike në jug të vendit. Në prill 1994 sulmohet në mesnatë posta policore kufitare në Gjirokastër dhe për pasojë vriten dy ushtarakë shqiptarë, një oficer dhe një pjesëtar i FA i cili u ekzekutua në vendroje.

Karathanos arrestohet një vit më pas në Greqi, pasi akuzohej nga autoritetet shqiptare si njeriu që hyri në territorin shqiptar bashkë me një grup të armatosur prej shtatë personash të cilët kryen masakrën.

Ai do të arrestohej edhe një vit më parë nga policia shqiptare pasi gjatë ceremonisë së varrimit të Kostandinos Kacifas bllokoi së bashku me një grup tjetër aksin rrugor Kakavijë-Gjirokastër dhe hodhi gjithashtu parulla raciste dhe anti-shqiptare.

Harallambos ka lindur në Greqi, por prindërit e tij janë me origjinë nga Dropulli. Babis-Harallambos Karathanos nga viti 1982-1989 ka qenë kryetari i SFEVA – (Bashkimi i Studentëve për Luftën e Vorio-Epirit).

Babis-Harallambos Karathanos ka qenë ish-deputet i partisë Demokracia e Re, më tej i partisë ekstremiste të djathtë greke, LAOS. Babis-Harallambos Karathanos ka shkaktuar tensione edhe në Himarë disa vite më parë, duke e cilësuar edhe këtë zonë si minoritare në funksion të tezës së Vorio-Epirit. 

Login to post comments