Zëri i Amerikës/
Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi është vrarë pas një operacioni të forcave speciale ushtarake amerikane në Siri.
"Mbrëmë Shtetet e Bashkuara sollën terroristin numër një në botë para drejtësisë", njoftoi presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë të dielën.
"Asnjë personel amerikan nuk u dëmtua në operacion" por një numër i madh i luftëtarëve të Bagdadit u vranë, njoftoi Presidenti Trump të dielën nga Shtëpia e Bardhë.
Ai tha që udhëheqësi i Shtetit Islamik ishte fshehur në një tunel nga u përpoq të ikte, " duke qarë dhe duke bërtitur gjatë gjithë rrugës". Presidenti Trump tha se Bagdadi aktivizoi jelekun e tij me eksplozivë, duke vrarë gjithashtu tre fëmijë,
Raportimet e mediave thanë se misioni në provincën Idlib të Sirisë përfshinte helikopterë, avionë dhe dronë amerikanë
Raportimet e mediave thonë se Bagdadi u vu në shënjestër në provincën Idlib të Sirisë, në një mision që përfshinte helikopterë, avionë dhe dronë amerikanë
Në korrik një raport i OKB-së paralajmëroi se udhëheqësit e lartë të Shtetit Islamik "janë mes atyre që kanë kaluar në zonën e Idlibit".
Vdekja e Bagdadit ishte raportuar gabimisht disa herë.
Mesazhi i tij i fundit audio u lëshua në shtator, në të cilin ai premtoi se lufta kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj është shumë larg fundit.
Gjatë regjistrimit audio, më shumë se 30-minuta ai thotë se Shtetet e Bashkuara "tani po mbyten në kënetat" e Irakut dhe Afganistanit, duke shtuar se Uashingtoni është i pafuqishëm për të ndihmuar aleatët e tij në rajon dhe përreth.
Që nga viti 2016, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një shpërblim deri në 25 milion dollarë për informacione që ndihmojnë për të sjellë Bagdadin para drejtësisë. Vetëm një person tjetër, udhëheqësi i al-Kaidës Ayman al-Zawahiri, ka një shpërblim kaq të lartë.
Në mars të vitit 2014, gruaja e Bagdadit u la e lirë nga militantët e Frontit al-Nusra të lidhur me al-Kaidën, së bashku me dy djemtë dhe vajzën e saj, në këmbim të 13 murgeshave të marra peng nga ai grup. Është raportuar se vetëm vajza ishte fëmija e Bagdadit. Të dy djemtë ishin fëmijët e gruas së tij, Sujidah al-Dulaimi, nga martesa e pare, përpara se të takohej me Bagdadi.
Bagdadi lindi në vitin 1971 në Samarra,të Irakut. Ai u kap nga forcat amerikane dhe u mbajt në kampin Bucca, përgjatë kufirit Irak-Kuvajt mes vitit 2003 dhe 2009 para se të lirohej.
Në vitin 2014, ai deklaroi krijimin e "Kalifatit" të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak dhe e shpalli veten halif.
Vetë ISIS-i shumë shpejt pushtoi pjesën më të madhe të Irakut dhe Sirisë dhe në kulmin e tij mund të ketë kontrolluar deri në 40 përqind të Irakut.
Në qershor të vitit 2017, qeveria irakiane shpalli fitoren ndaj ISIS-it në qytetin Mosul. Kryeministri irakian Haider al Abadi deklaroi fitoren e plotë ndaj grupit militant në dhjetor 2017.
Në mars të vitit 2019, Forcat e Mbrojtjes Siriane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara njoftuan çlirimin e Baghuzit, territori i fundit i mbajtur nga ISIS-i në Siri.